Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Çaslav Joliq, i dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vite burgim për krime lufte në qytetin e Istogut.
“Me aprovimin e ankesës së mbrojtësit të C.J, avokatit Miodrga Brkljaç, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë… i datës 22.06.2024 anulohet dhe lënda i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim”, thuhet në vendimin e marrë më 4 nëntor 2024 nga Gjykata e Apelit.
Fillimisht, në vendim theksohet se ankesë ndaj vendimit të Themelores ka parashtruar avokati Brkljaç për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore, me kërkesë që vendimi të ndryshohet, të lirohet i akuzuari ose çështja të kthehet në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”
Përgjigje ndaj ankesës së avokatit ka paraqitur Prokuroria Speciale më propozim që vendimi i Themelores të vërtetohet, ndërkaq ankesa e avokatit Brkljaç të refuzohet si e pabazuar.
Ndaj ankesë së avokatit Brkljaç, Prokuroria e Apelit ka paraqitur parashtresën përmes të cilës ka kërkuar që ankesa të refuzohet dhe vendimi i Themelores të vërtetohet si dhe përgjigja e Prokurorisë Speciale të trajtohet si e bazuar.
Pas marrjes së ankesës dhe përgjigjeve ndaj ankesës, Apeli ka caktuar dhe mbajtur seancën e kolegjit ku kanë prezantuar të dëmtuarit Zef Malësia dhe Nexhmedin Curraj, i akuzuari Joliq me avokatin Brkljaç, ndërkaq nuk ka prezantuar askush nga Prokuroria e Apelit.
Apeli ka konstatuar se dispozitivi i vendimit të Themelores është i paqartë dhe në kundërshtim me arsyetimin e tij, ku nuk janë dhënë arsye të qarta dhe konkrete për faktet vendimtare të çështjes penale ndaj Joliq.
Tutje, thuhet se goditja në kokë që ka pretenduar i dëmtuari Malësia se i është shkaktuar nga i akuzuari Joliq siç është përshkruar edhe në arsyetim, ndërkaq në dispozitivin e vendimit thuhet se goditja ka ndodhur nga një person me nofkën “Dulle”.