Anëtarët e KQZ-së hedhin dyshime për manipulim të votimit me postë, VV-ja kundër

Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, ka ngritur shqetësime lidhur me procesin e votimit përmes postës nga diaspora, duke paralajmëruar rrezikun e manipulimit dhe shkeljeve ligjore që mund të cenojnë integritetin e zgjedhjeve jashtë vendit.

Para anëtareve të KQZ-së ai ka lëshuar një video që është shpërndarë në rrjete sociale, ku u bëhet thirrje atyre që janë regjistruar për të votuar me postë, që të marrin ndihmë sesi të votohet.

Mirëpo sipas tij, ndihma po u jepet në zyre të partive apo vendvotime të improvizuara.

Gashi e ka quajtur këtë të kundërligjshme dhe ka kërkuar që Prokuroria e shtetit të hetojë këto raste. Ai shtoi se votimi përmes postës duhet të jetë individual dhe çdo ndërhyrje apo ndihmë që ndikon te votuesi bie ndesh me ligjin dhe integritetin e procesit zgjedhor.

“Më duhet ta ngrisë një shqetësim se në janar ka filluar procesi i votimit në diasporë dhe e dimë që ky proces është vështirë i monitoruar nga ne, sepse është e pamundur që të kemi njerëz për ta përcjellin pjesën e votimit përmes postës. Ka tendencë të hapur publike për t’u manipuluar procesi në disa raste të fillimit të procesit të diasporës”.

“Dje kam pranuar në rrjetet sociale video, të cilët i ftojnë votuesit përmes postës që t’u ndihmojnë që të votojnë. Këto janë tendenca për ta kontaminuar këtë proces. Nuk lejohet improvizim i votimeve nëpër kafiteri, zyra të partive. Ekziston rrezik që persona që japin ndihmë në këto vendvotime të improvizuara mund të kenë ndikim në votim. Së treti, votimi i postës duhet të jetë individual. Këto janë vepra penale. Nuk guxojnë praktika të tilla të instalohen. I bëj thirrje prokurorisë së shtetit që të marrë masa”, ka thënë Gashi.

Anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, tha se çështja e ngritur nga Gashi nuk është për t’u shqetësuar.

Sipas tij, është e lejuar që partitë t’i bindin votuesit që të votojnë një parti të caktuar, por që nuk është e lejuar që dikush të votojë për dikë.

“Nuk është shqetësim, është shqetësim i një natyre tjetër. Por, gjithkush e ka obligim që t’i ndihmojë deri në momentin që nuk shkruan me dorën e vetë në votën e tij. Kolegu do të shpërndajë një skepticizëm, një dyshim te njerëzit që askush askujt të mos i ndihmojë”, ka thënë Kurteshi.

Anëtari i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti, deklaroi se KQZ-ja ka kryer një punë të shkëlqyeshme duke njoftuar diasporën se si duhet të votohet, dhe sipas tij, videot e shpërndara në rrjete sociale për ndihmë për votuesit me postë nuk janë në rregull.

“Ky institucion i yni e ka kryer punën në mënyrë të shkëlqyeshëm. Pjesët tjera edhe ndihmat se ‘hajdeni këtu se ne ju orientojmë se si’, asistim në grup është ai. Unë konsideroj që nuk është në rregull”, ka thënë ai. / EO.