Mes tensioneve të vazhdueshme dhe kërcënimeve të ndryshme, një marrëveshje dypalëshe e sigurisë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës mund të jetë çelësi për ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Dhe presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, mund t’i japë shtysë kësaj marrëveshjeje të rëndësishme.
Ky është vlerësimi i ekspertëve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare – Chris Dolan dhe Arben Hajrullahu – të cilët, në një analizë për Balkan Insight të martën, kanë theksuar se kjo marrëveshje do të ndihmonte Kosovën në zhvillimin e kapaciteteve të saj të sigurisë, krahas forcimit të lidershipit amerikan në rajon.
“Një marrëveshje dypalëshe e sigurisë do të ndërtonte një zinxhir furnizimi të sigurisë që do të garantonte qasjen e Kosovës në asetet amerikane, njëherësh duke fuqizuar edhe lidershipin amerikan në rajon. Do ta ndihmonte njashtu rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, aleanca kryesore e sigurisë në botë”, kanë shkruar ata.
Megjithatë, një marrëveshje e tillë ka edhe rreziqe, sipas ekspertëve.
Nëse nuk arrin të implementohet në mënyrë të suksesshme, në bazë të autorëve të analizës, kjo mund të krijojë një mundësi për aktorët malinj, veçanërisht Rusinë, për të përshkallëzuar tensionet dhe për të minuar stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, transmeton albanianpost.
“Rusia kaherë ka zbatuar një strategji të luftës hibride që kombinonin narrativat kulturore strategjike dhe dezinformimin, gënjeshtrat dhe sulmet kibernetike. Kremlini do të vazhdojë të cenojë sovranitetin e Kosovës, të ashpërsojë tensionet etnike në rajonet me shumicë serbe dhe do të minojë integrimin euroatlantik”.
Dolan dhe Hajrullahu kanë konsideruar gjithashtu se një marrëveshje e sigurisë mes SHBA-së dhe Kosovës do t’i shkonte përshtat qasjes transkasionale të Trumpit ndaj politikës së jashtme, posaçërisht në kohën e ndryshimeve në arkitekturën gjeopolitike.
“Vënia e theksit te deterenca [mbrojtja parandaluese] nga Trumpi dhe preferenca e tij për nisma dypalëshe u shërben interesave amerikane të sigurisë dhe shtetit më pro-amerikan në botë. Një Kosovë e pavarur, sovrane dhe stabile do të garantonte pozitën e saj si ofruese sigurie dhe do të fuqizonte rastin e saj për anëtarësim në NATO”.
