Zgjedhjet e 9 shkurtit kanë bërë që disa të rinj për herë të parë t`i futen politikes. Njeri nga ta është edhe Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, i cili ka vendosur t`i bashkohet PDK-së. Ai është zotuar se do të ndjek rrugën e babit të tij në politikë.
Altin Krasniqi, djali ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ka bërë me dije babai i tij ka pasur ndikim jashtëzakonisht të madh në formësimin e tij.
Ai ka treguar se rruga jetësore e prindit të tij është një inspirim i madh për të.
Duke pasur parasysh këto fakte, ai ka vlerësuar se angazhimi i tij në PDK-së ka qenë një vendim i natyrshëm.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Krasniqi ka treguar pse ka vendosur të merret me politikë.
Ai ka deklaruar se dëshiron të jetë pjesë e brezit që i çon më tutje idealet dhe sakrificën e babait të tij.
Krasniqi, i cili në listën zgjedhore të PDK-së e mban numrin 20, është zotuar se do të angazhohet për një Kosovë më të fortë dhe më të drejtë.
Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për vizitat tek babai në Hagë, i cili se bashku me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, po mbahen në paraburgim.
Ai ka treguar edhe mesazhe që merr nga këto vizita nga prindi i tij dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së.
Pyetje: Z. Krasniqi, çka ju shtyri t’i futeni politikës?
Krasniqi: Pasioni im për të kontribuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për Kosovën më ka shtyrë të angazhohem në politikë. Kam besuar gjithmonë se një shoqëri e drejtë dhe e zhvilluar mund të ndërtohet vetëm me përkushtim dhe angazhim të sinqertë për qytetarët.
Frymëzimi kryesor ka ardhur nga babai im, i cili i ka dedikuar jetën çështjeve kombëtare dhe kauzës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Dua të jem pjesë e brezit që i çon më tutje idealet dhe sakrificën e tij, duke u angazhuar për një Kosovë më të fortë dhe më të drejtë.
Për më tepër, jam i bindur se të rinjtë kanë rol kyç në këtë proces, dhe ndjej përgjegjësinë të jem zëri i tyre në politikë.
Pyetje: Pse vendosët që aktivitetin tuaj politik ta filloni duke u kyçur në PDK?
Krasniqi: PDK përfaqëson vlerat dhe vizionin që ndërlidhet me idealet e çlirimit dhe shtet-ndërtimit të Kosovës. Angazhimi im në këtë parti është rezultat i besimit tim se PDK-ja mbetet një forcë kyçe për zhvillimin dhe fuqizimin e vendit.
Megjithatë, këtu, nuk mund të rri pa e përmendur edhe rolin, interesimin dhe përkushtimin e madh që ka treguar kryetari Memli Krasniqi ndaj meje, edhe si djali i Jakup Krasniqit, edhe si një i ri i cili mund të kontribuoj në politikë me vizionin e tij.
Gjithsesi, unë jam i vetëdijshëm për historinë dhe kontributin e PDK-së në ndërtimin e institucioneve shtetërore dhe në mbrojtjen e interesave kombëtare. Përmes saj, kam mundësinë të ndjek një rrugë që bashkon të kaluarën me të ardhmen e Kosovës.
Gjithashtu, PDK ka treguar hapësirë për të rinjtë dhe për vizionet e reja, gjë që për mua ishte vendimtare për të marrë këtë vendim.
Pyetje: Ju kemi parë në shumë aktivitete me figura të ndryshme të PDK-së. Si ju priten në PDK?
Krasniqi: Jam pritur me shumë mirëkuptim dhe përkrahje në PDK. Partia ka treguar vlerësim për angazhimin tim dhe për potencialin që sjell një brez i ri në politikë. Anëtarët dhe strukturat e partisë kanë qenë mbështetës dhe inkurajues, duke më dhënë hapësirën e nevojshme për të kontribuar. Kjo ka qenë shumë e rëndësishme për mua si një fillim i ri.
PDK-ja është një familje politike ku ndjehem i përfaqësuar dhe i mbështetur, dhe kjo më jep motivim për të punuar me përkushtim.
Pyetje: Çka ju pëlqeu më së shumti të kandidati i PDK-së për kryeministër dhe të oferta e tij për 9 shkurt?
Krasniqi: Kandidati i PDK-së për kryeministër, z. Bedri Hamza, është një lider i besueshëm dhe i përkushtuar, me një vizion të qartë për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e institucioneve. Përvoja e tij profesionale është një garanci për realizimin e projekteve konkrete.
Oferta për 9 shkurt pasqyron një qasje pragmatike dhe të arsyeshme, e cila fokusohet në përmirësimin e jetës së qytetarëve, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor. Këto janë nevoja urgjente për vendin tonë.
Ajo që më bën më shumë përshtypje është përkushtimi i tij për të qenë pranë qytetarëve dhe për të ndërtuar besimin mes qeverisë dhe popullit.
Pyetje: Në vendimin tuaj për t’i hyrë politikës, ka pasur ndonjë ndikim babai juaj, i cili është ndër themeluesit e PDK-së?
Krasniqi: Patjetër që babai im ka pasur një ndikim të madh në formësimin e bindjeve dhe vlerave të mia. Rruga e tij jetësore është një inspirim i madh për mua.
Sakrificat dhe përkushtimi i tij ndaj Kosovës më kanë mësuar rëndësinë e angazhimit publik dhe të sakrificës për një kauzë të drejtë. Kjo është një përgjegjësi që e ndjej si detyrë të brezit tim.
Megjithatë, vendimi për t’u angazhuar në politikë ishte personal, i motivuar nga dëshira ime për të kontribuar për të ardhmen e vendit.
Pyetje: Babai juaj është ndër themeluesit edhe të një subjekti tjetër politik, Nisma Socialdemokrate. A keni pasur ofertë nga ky subjekt?
Krasniqi: Respektoj çdo subjekt politik dhe përpjekjet e tyre për të kontribuar në zhvillimin e Kosovës, përfshirë edhe Nismën Socialdemokrate. Por, sic e dini, babai im fillimisht ka qenë themelues i Partisë Demokratike të Kosovës. Me PDK-në, babai im ka realizuar edhe sukseset më të mëdha, përfshirë aspiratën jetësore për Pavarsinë e Kosovës.
Prandaj, angazhimi im në PDK ka qenë një vendim i natyrshëm, duke marrë parasysh historinë, vizionin dhe angazhimin e kësaj partie në të ardhmen e vendit.
Fokusi im është të punoj për forcimin e PDK-së dhe për të përfaqësuar qytetarët në mënyrën më të mirë të mundshme.
Pyetje: Sa shpesh e viziton babin tuaj në Hagë dhe çka bisedoni gjatë vizitës?
Krasniqi: E vizitoj babain tim sa herë që kam mundësi, dhe këto momente janë shumë të rëndësishme për mua. Ato na japin forcë dhe motivim të dyve për të përballuar sfidat.
Bisedat tona fokusohen në familjen, të ardhmen e Kosovës dhe zhvillimet politike. Ai gjithmonë ndan këshilla të vlefshme dhe më motivon për të qenë i fortë dhe i vendosur në rrugën që kam zgjedhur.
Pavarësisht rrethanave, ai mbetet një burim inspirimi dhe urtësie për mua dhe familjen tonë.
Pyetje: Sa i përcjell zhvillimet politike në vend Baca Jakup?
Krasniqi: Babai im i përcjell me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë dhe është gjithmonë i interesuar për progresin e vendit.
Ai mban kontakte të rregullta me njerëzit që i kanë qëndruar pranë dhe është i përkushtuar të japë këshilla të vlefshme, edhe nga larg.
Interesi i tij për çështjet kombëtare është i pandryshueshëm dhe i thellë, edhe në rrethana të vështira.
Pyetje: Cila është mesazhi që merr nga babai në vizitat që realizon?
Krasniqi: Mesazhi kryesor që marr nga babai im është gjithmonë të mbaj kokën lart dhe të jem i drejtë dhe i sinqertë në gjithçka që bëj.
Ai më këshillon të mos heq dorë nga vlerat dhe parimet, pavarësisht vështirësive që mund të has gjatë rrugës.
Mesazhi i tij është një thirrje për përkushtim ndaj Kosovës dhe për të punuar gjithmonë në të mirën e vendit dhe qytetarëve.
Pyetje: Gjatë këtyre vizitave, a i takoni edhe ish-krerët e UÇK-së, shokët e babait?
Krasniqi: Po, gjatë vizitave në Hagë, kam pasur mundësinë të takoj edhe ish-krerët e UÇK-së, të cilët janë bashkëluftëtarë dhe miq të ngushtë të babait tim.
Këto takime janë shumë domethënëse dhe më kujtojnë përkushtimin e tyre për çlirimin e Kosovës. Është një nder të jem pranë tyre dhe të dëgjoj historitë dhe këshillat e tyre.
Ata mbeten simbol i sakrificës dhe rezistencës sonë kombëtare, dhe prania e tyre më motivon të punoj edhe më shumë për të ardhmen e Kosovës.