Albin Kurti, bllokuesi i Kosovës me “tapi” Norvegjie

“Atëherë kur e kthen edhe ti vazjën tënde me jetu aty ku udhëheq, atëherë besoj se bëhet më mirë për fëmijët”.

Ky është një nga komentet e shumta e të ngjashme që qytetarë të shumtë e shkrujatën në Facebookun e kyreministrit të dorëhequr, Albin Kurti, në një shkrim të tij për “1 Qershorin”, ditën botërore të fëmijëve, shkruan Demokracia.com.

Tashmë nuk është sekret se vajza e Kurtit dhe bashkëshortja e tij nuk jetojnë në Kosovë për të “shijuar” frytet e “qeverisjes së mirë” të tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje, por që nga fillimi kanë jetuar në Norvegji, në shtetin prej nga vjen gruaja e liderit të Vetëvendosjes.

Kërkesa e qytetarëve që Kurti ta sjellë familjen e tij në Kosovë, duket se nuk do të marrë përgjigje, sidomos tani që ai nuk e ka aspak të sigurtë mandatin e radhës për shkak të refuzimit të spektrit politik kosovar për të bashkëqeverisur me të.

Mbajtja e vajzës dhe dhe gruas jashtë Kosovës dhe në një shtet të zhvilluar perëndimor, si Norvegjia, duket se i ka dhënë përparësi Kurtit për të qenë krejtësisht komod në detyrën e tij shtetërore.

Kurtit, duke qenë i martuar me një shtetase norvegjeze, i jep siguri të madhe që të vazhdojë me politikat e tij që shkatërrojnë mirëqenien e kosovarëve, 200 mijë prej të cilëve e lëshuan Kosovën vetëm gjatë katër viteve të Qeverisë Kurti 1.

 

Pasojat e vendimeve të tij nuk prekin familjen e tij, andaj edhe Kurti nuk e ka aspak problem që me veprimet apo mosveprimet e tij të rëndojë çdo ditë e më shumë jetën e qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë shqetësim të përditshëm se si të arrijnë të mbulojnë shpenzimet mujore të mbijetesës.

Mbajtja larg Kosovës e familjes së tij i ka dhënë Kurtit përparësi që të jetë i vrazhdë me mësimdhënësit, policët, mjekët, shërbyesit civil, zjarrëfikësit.

Që nga 27 marsi 2025, Kosova ka hyrë në muajin e tretë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe prej asaj kohe, Republika e Kosovës mbetet e bllokuar dhe pa konstituimin e dy instituconeve kryesore shtetërore – Kuvendit dhe Qeverisë.

Më 1 qershor 2025, Kosova ka hyrë zyrtarisht në muajin e tretë të bllokadës nga kryetari i Vetëvendosjes, deputeti Albin Kurti, i cili nuk lejon konstitutimin e Kuvendit të Kosovës, respektivisht zgjidhjen e kryetarit të Kuvendit.

Prej 25 seancave, të cilat mbahen çdo të dytën ditë, Kurti ka këmbëngulur në kandidimin e deputetes, Albulena Haxhiu, e cila nuk është pranuar nga partitë opozitare për shkak të dështimit të saj si Ministre e Drejtësisë dhe rolit destruktiv e përçarës në skenën politike kosovare.

Pavarësisht çmimit të madh që po paguan Kosova, Kurti dhe Vetëvendosje vazhdojnë të tregojnë papërgjegjshmëri përballë domosdoshmërisë së shtetit për institucione funksionale, duke këmbëngulur në nënshtrimin e opozitës. Kurti dhe ministrat e tij, që ndonëse janë zgjedhur deputetë, vazhdojnë të qëndrojnë në detyrat e tyre në ekzekutiv edhe pse Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon një gjë të tillë.

Bllokada politike e krijuar nga Lëvizja Vetëvendosje, po ndikon negativisht edhe në përpjekjet e Kosovës për të siguruar fonde nga Bashkimi Evropian dhe institucionet ndërkombëtare, të cilat janë të kushtëzuara me krijimin e institucioneve funksionale dhe zbatimin e reformave të nevojshme.

Lajmi se Kosova rrezikon të humb rreth 900 milionë euro, ishte dhënë nga presidentja Vjosa Osmani, pas dështimit të 16-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

“Edhe sot i kam inkurajuar partitë politike të gjejnë zgjedhje të përbashkët. Ky është vetëm takimi i parë, nëse është e nevojshme do të takoj edhe liderët veç e veç, këto takime nuk janë për formimin e qeverisë, por për konstituimin e Kuvendit. Disa prej pasojave që po ballafaqohet vendi ynë si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit është zvarritja e procesit të planit të zgjerimit të BE-së, pra po flasim për diku rreth 900 milionë euro do të ishte përfitimi sikur Kosova ta ratifikonte marrëveshjen me BE-në”, ka deklaruar ajo, më 15 maj 2025. / Demokracia.com /