Akil Gjakova denoncohet nga ish-bashkëshortja për presion psikologjik: Më ka kanosur që ta ndryshoj deklaratën ose…

Xhudisti i njohur, Akil Gjakova, dje është parë duke hyrë në Gjykatën Themelore në Pejë për seancën e tij të parë, ku përballet me akuzën për dhunë në familje.

Pas seancës bashkëshortja e tij, gjyqtarit të lëndës në fjalë i ka dorëzuar një parashtresë. Në të, ajo ka kërkuar që të pandehurit, Akil Gjakova, t’i tërhiqet vërejtja që të mos i dërgojë mesazhe, përmbajtja e të cilave mund t’i shkaktojë dëmtime psikologjike asaj.

Sipas shkresës, ai më parë i ka dërguar mesazhe, duke i kërkuar që ta ndryshojë deklaratën e dhënë në institucionet përkatëse, ose në të kundërtën do ta paguajë alimentacionin.

Po ashtu, ajo ka dorëzuar edhe komunikimin me SMS, ku Gjakova, sipas saj, i ka kërkuar që ta ndryshojë deklaratën në favor të tij.

Për çka akuzohet Akil Gjakova?

Prokuroria Themelore në Pejë ngriti aktakuzë ndaj xhudistit Akil Gjakova nën dyshimin se ka kryer veprën penale “dhunë në familje”.

Ai akuzohet për dhunë të përsëritur ndaj bashkëshortes së tij, Suela Gjakova. Aktakuza është ngritur më 19 dhjetor 2024.

Bazuar në aktakuzën që e ka siguruar Insajderi, thuhet se aktetet e dhunës përfshijnë kërcënime verbale, dhunë psikologjike dhe fizike.

Ngjarjet janë raportuar të kenë ndodhur brenda banesës së tyre në Pejë që nga viti 2023 deri në prill të 2024-ës.