Komuna Gjilanit e udhëhequr nga Alban Hyseni i VV’së, ka shpërblyer sërish me tender afro 300 mijë euro, afaristin Fatlum Pireva të “El-Bau”, i akuzuar për mashtrim. Kompania e ‘dostit’ të Hysenit është zgjedhur fituese, përkundër se kishte ofertuar me çmim më të lartë se operatori tjetër konkurrues dhe po ashtu më të lartë se çmimi i parashikuar. Insajderi ju sjell detajet.
Komuna e Gjilanit, me datën 3 dhjetor ka njoftuar për nënshkrimin e kontratës për tenderin e “Ndërtimi i rrugës në fshatin Sefer”.
Vlera e parashikuar e kësaj kontrate është 231,405.27 euro.
![](https://prishtina01.com/wp-content/uploads/2024/12/IMG_0531.jpeg)
Për këtë tender kishin aplikuar dy operatorë ekonomik. Një prej tyre madje kishte qenë edhe me çmim më të ulët.
Operatori tjetër ekonomik, është refuzuar për arsyen se ishte vlerësuar e pa përgjegjshme.
Ndërkohë, fituese është shpallur, El Bau SH.P.K, me çmim, 298 mijë e 731 euro.
Vlerë kjo e cila është më e lartë se oferta e operatorit ekonomik të refuzuar.
Madje, çmimi i ofertuar i kompanisë fituese, të Fatlum Pirevës, ka kaluar edhe çmimin e parashikuar të kontratës.
Kompania ‘El Bau’ ka pronar afaristin Fatlum Pireva. Kompani kjo që kishte qenë pjesë e konsorciumit në tenderin për stadiumin e Gjilanit, cili përfundimisht dështoi, pasi kishte tendenca se Alban Hyseni, i përzgjodhi dostat e tij për t’iu dhënë mbi 15 milionë euro.
Jo vetëm, Pireva ishte pjesë e konsorciumit të lotit dy për rrugën nacionale Prishtinë-Podujevë i cili ishte ngarkuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan për veprën penale mashtrim.
Fatlum Pireva së bashku me dy persona tjerë dyshohej si i ka shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit në vlerë prej afro 3 mijë euro.
Avokati i biznesmenit, Pireva më 31 maj të 2022-ës i kishte propozuar gjykatës që procedura penale ndaj tij të pushojë për shkak të parashkrimit. Propozim ky i cili ishte refuzuar nga prokurori e gjyqtari i rastit.
Sipas gjykatës, të pandehurit dhe Fatlum Pireva akuzohen se si persona fizik dhe përfaqësues të autorizuar të personit juridik “El-Bau”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i kanë paraqitur fakte të rreme komunës së Gjilanit, ashtu që të njëjtit nuk kanë realizuar rrugën sipas kontratës duke i shkaktuar dëm komunës së Gjilanit në vlerën prej 2 mijë e 662 euro e 26 centë.
Pireva kishte fituar një tender të dyshimtë në Komunën e Mitrovicës. Ndonëse Komuna e Mitrovicës kishte paraparë që ky projekt të kushtojë 600 mijë euro, fituesit e tenderit Bujar Shabani e Fatlum Pireva të akuzuar për mashtrim kanë ofruar çmimin prej 892.453 euro, që i bie afro 50% më shtrenjtë se vlera fillestare e ofruar.
Me 31 maj, Komuna e Gjilanit e cila udhëhiqet nga Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje i dha tenderin për renovimin e stadiumit të Gjilanit grupit të operatorëve ekonomik “Demiri Gartenbau”, “Avag Group SH.P.K”, “El-Bau Sh.P.K”, “Bujar Shabani B.I” “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M”.
Pronarët e këtyre kompanive kishin ndërlidhje me njëri-tjetrin.
Drejtues dhe sponsorët e klubit futbollistik Gjilani ishin përfitues të këtij tenderi, Pronari i kompanisë El-Bau, Fatlum Pireva dhe pronari i kompanisë “Demiri GartenBau GmbH” Qëndrim Demiri janë aksionarë në klubin e futbollit “KF Gjilani”./Insajderi.org/