Chicago Bulls arriti ta përmbys për kaq pak kohë skuadrën e yjeve, Luka Donçiq e LeBron James, duke triumfuar në fund me rezultat 117-119, raporton Klankosova.tv.
Por ajo që ra në sy në këtë “triller” basketbollistik, ishte fakti se në të gjitha nëntë pikët e shënuara nga kundërshtari, “King James” ishte i përfshirë, duke dështuar t’i ndalojë.
Fillimisht nuk arriti ta stoponte Patrick Williamsin, kur ky i fundit gjuajti dhe shënoi treshe.
James gaboi menjëherë edhe në pasimin e topit, të cilin e vodhi Josh Giddey, i cili pasoi shpejt për Coby White, që poashtu realizoi jashtë perimetrit, për rezultatin 115-116, njofton Klankosova.tv.
Edhe pse Austin Reaves arriti që ta rikthente avantazhin e Lakers, duke shënuar dy pikë për 117-116, vetëm 3.3 sekonda nga fundi, përsëri skuadra nga Los Angeles nuk arriti të triumfonte.
Sërish Giddey ishte protagonisti i kësaj super përballje dhe gjuajtjen nga më larg se gjysma e fushës, e bëri pikërisht para syve të LeBron James, i cili prapë dështoi ta ndalonte kundërshtarin.
117-119 përfundoi drama e “çmendur” në “The United Center” të Illinois, ku fansat e Chicagos e përjetuan njërën prej mbrëmjeve që nuk do ta harrojnë për krejt jetën.
Lakers gjatë këtij dueli kishin avantazh edhe prej 18 pikëve në çerekun e fundit, pasi po udhëhiqnin 96-78, por në fund dolën të mposhtur.
12.6 sekondat dramatike dhe kulminante të kësaj ndeshje të zjarrtë , mund t”i ndiqni në videon e mëposhtme.
