A do të mbeten trupat amerikane në KFOR?

Për më shumë se 25 vjet, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka qenë garantues i sigurisë. Por tani, kur Shtetet e Bashkuara po rishikojnë praninë e tyre ushtarake në Evropë, lind pyetja: A do të mbeten trupat amerikane në KFOR?

Pas luftës së vitit 1999, KFOR-i u vendos në Kosovës menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

Me një numër prej 50 mijë trupash në fillim, sot ky mision ka rreth 4 mijë e 600 ushtare, përfshirë rreth 600 trupa nga Shtetet e Bashkuara, të vendosur kryesisht në kampin Bondsteel.

Deklaratat e fundit nga zyrtarët amerikanë kanë ngritur pikëpyetje për të ardhmen e pranisë së trupave të tyre në Evropë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi se SHBA-ja mund të zvogëlojë praninë e saj ushtarake, bazuar në prioritetet strategjike.

Ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea, thotë se Trumpi mund të kërkoj favore nga Kosova për t’i mbajtur trupat në KFOR, veçanërisht në formë të marrëveshjeve biznesore dhe investimeve amerikane në vend.

Një zyrtar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, konfirmon për REL se, “nuk kemi asnjë ndryshim në pozicionimin e forcave për të njoftuar në këtë moment”.

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati vlerëson se Kosova ende nuk është në gjendje të vetëmbrohet plotësisht.

Me një process të ngadaltë të ndërtimit të kapaciteteve ushtarake, vendi mbetet i varur nga NATO-ja për sigurinë e tij.

Disa udhëheqës evropianë, përfshirë kandidatin për kancelar të Gjermanisë, Friedrich Merz, kanë theksuar nevojën për një Evropë më të pavarur në fushën e sigurisë.

Por, a është Evropa e gatshme të marrë përsipër përgjegjësinë e NATO-s në Ballkan?

Ekspertët sugjerojnë disa skenarë të mundshëm:

SHBA-ja vazhdon praninë e saj në KFOR, por kërkon më shumë kontribute nga Kosova dhe NATO.

Trupat amerikane tërhiqen, duke lënë KFOR-in nën drejtimin e vendeve evropiane.

Kosova forcon Forcën e sigurisë dhe krijon aleanca të reja strategjike.

Një gjë është e qartë: siguria e Kosovës mbetet e lidhur ngushtë me vendimet strategjike të NATO-s dhe SHBA-së. Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë: “jeni të përgatitur për çdo skenar”. REL