Kosova po përballet me një rrjedhë negative të rritjes ekonomike që nga viti 2022, duke u shkëputur nga trendet e qëndrueshme të dekadës së kaluar. Gjatë viteve 2022-2023, dhe sipas parashikimeve për vitin 2024, Kosova nuk pritet të arrijë nivelet e rritjes mbi 5 për qind, të cilat ishin pothuajse standard për qeveritë e mëparshme.
Me një parashikim për një rritje prej vetëm 4.3 për qind këtë vit, ekonomia e vendit mbetet larg potencialit të saj, të dëshmuar mes viteve 2009-2019.
Madje, vazhdimi i trendit të ngjashëm të rritjes u parashikua edhe në vitet 2025 dhe 2026 nga Banka Qendrore e Kosovës gjatë shpalosjes së fundvitit të indikatorëve ekonomikë të vendit.
Sipas BQK-së, në vitet 2025 dhe 2026 parashikohet rritje ekonomike prej 4.2 dhe 4.4 për qind respektivisht.

Ironikisht, kryeministri Albin Kurti vazhdon të lavdërohet për “suksese” në këtë drejtim, me krahasime që, sipas akuzave të vazhdueshme të opozitës, bëhen në shpërputhje me standardet e mirëfillta në fushën e ekonomisë, duke synuar krijimin e një mirazhi progresi.
Kurti në vazhdimësi bënte krahasime me mestaren e rritjes për tri vitet e fundit, ku fliste për rritje prej 6.36%, ndërsa injoron trajektoren negative.
“Kryesorja e këtyre katër viteve të fundit është rritja ekonomike e cila është 6.36 për qind e Bruto Produktit Vendor mesatarisht në këto tri vite. Asnjëherë pa rënë nën 4 për qind, natyrisht, rritje reale pasi të hiqet inflacioni, e para. E dyta, në kuadër të kësaj rritje ekonomike, kemi edhe dyshifim të eksporteve, dhe më shumë së dyfishim të investimeve të huaja direkte.” – ishte një nga deklaratat e Kurti në Kuvend së fundmi.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, periudha para pandemisë karakterizohej nga një rritje më e lartë dhe më e qëndrueshme se në vitet e fundit.
Kosova nuk e arriti as rimëkëmbjen nga pandemia
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, të prezantuara nga ish-zëvendësministri në MEPTINS, Edison Jakurti, ekonomia e Kosovës deri në vitin 2023 rezulton se ende nuk është rimëkëmbur plotësisht nga pandemia.
Njohësi i ekonomisë shpjegoi ditë më parë nëpërmjet një postimi në Facebook se hendeku mes BPV-së aktuale dhe asaj që mund të ishte nëse rritja do të ndiqte ritmin 10-vjeçar para-pandemik është mbi -2 miliardë dollarë realë.
“Deri në vitin 2023, ku bëjnë pjesë tre ose më shumë vite nga hapja e ekonomisë, meqë shumë masa kanë filluar të largohen qysh në pjesën e dytë të 2020, ekonomia e Kosovës mbetet nën trendin para-pandemik. Thënë ndryshe, deri në vitin 2023, ekonomia e Kosovës nuk është rimëkëmbur nga pandemia. Prej vitit 2020 e tutje hendeku mes BPV të realizuar dhe një BPV që do ta ndiqte trendin para-pandemik është mbi -2 miliardë dollarë realë, 1.3 nga të cilët janë vetëm në periudhën post-pandemike 2021-2023.” – ka thënë Jakurti.

