Lëvizja Vetëvendosje e ka pritur ditën e fundit të afatit për regjistrimin e votuesve nga diaspora, që të kërkojë afat shtesë.
Pavarësisht se këto afate kanë qenë të përcaktuara me muaj, pushteti ka bërë pak ‘drama’ duke kërkuar shtyrje të afatit në ditën e fundit.
Megjithatë, në mbledhjen e sotme të KQZ-së nuk shkuan anëtarët nga partitë opozitare.
Të pranishëm në këtë mbledhje ishte kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, dhe dy anëtarët e tjerë të VV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi.
Radoniqi ka bërë të ditur se mos prezenca e tyre nuk lidhet me vendimin e fundit te PZAP-së për anulimin e vendimit të moscertifikimit të Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
“3 anëtarët kanë njoftuar që nuk do të marrin pjesë në takim për shkak të disa obligimeve, kurse të tjerët kanë deklaruar se nuk e kanë marrë ftesën. Kjo mbledhje nuk lidhet me vendimin e PZAP”, ka thënë Radoniqi.
Në këtë mbledhje në rend dite ka qenë edhe shqyrtimi i rekomandimit të sekretariatit të KQZ-së për shtyrjen e afatit për regjistrim të mërgatës deri më 29 dhjetor.
Krasniqi ka thënë se mungesa e anëtarëve të PDK-së , LDK-së dhe AAK-së lidhet me këtë çështje.
“Ata edhe më herët kanë shfaqur kundërshtitë e tyre për çfarëdo shtyrje të afateve nga KQZ-ja për pjesëmarrjen e mërgatës në procesin zgjedhor”, tha ai.
Menjëherë pas kësaj, kanë filluar sulmet në kor nga VV-ja për partitë në opozitë.
E para e nisi komisarja e Vetëvendosjes, Dejona Mihali.
“PDK LDK AAK humbin rrugën. Nuk shkojnë në mbledhje të KQZ-së. Pika e rendit të ditës – shtyrja e afatit për votuesit nga mërgata”, ka shkruar ajo.
E vazhdoi edhe zv/ministri Avni Zogiani.
“LDK PDK AAK, nuk morën pjesë në mbledhjen e KQZ, ku do shqyrtohej rekomandimi për shtyerjen e afatit për regjistrim të bashkatdhetarëve për të votuar, edhe për 3 ditë”, ka shkruar ai.
Sulmin e finalizoi zëdhënësi i partisë në pushtet, Arlind Manxhuka.
“Mosardhja e partive opozitare ne mbledhjen e KQZ ku ne rend dite ishte diskutimi per zgjatje te afatit per regjistrim per mergaten ishte veprim i qarte nga ana e tyre per te pamundesuar cfaredo zgjatje afati. Per Listen Serbe ishin te gatshem te largoheshin nga votimi per te mos e bllokuar, per mergaten nderkaq nuk vijne as ne mbledhje per te mos lene asnje mundesi te zgjatjes se afatit per ta”, ka shkruar Manxhuka.
Afati për regjistrim të mërgatës përfundon sot në orën 00:00. Deri tash janë 83 mijë votues nga mërgata që janë regjistruar.