Përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në mbledhjen e fundit të Komisionit Qendrore Zgjedhor, ku u votua kundër certifikimit të Listës Serbe për Zgjedhjet Parlamentare të 9 shkurtit.
Sipas kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, arsyeja se për këtë mospjesëmarrje ka të bëjë me faktin se ata paraprakisht kanë kërkuar që të vijnë rekomandimet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Brendshme sa i përket akuzave të parashtruara ndaj Listës Serbe nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje.
“Sepse është ndryshe kur shkon flet aty një përfaqësues partiak, ndryshe janë dokumentet, për këtë çështje ne nuk votojmë derisa të sillni të konfirmuara ato që po i thoni”, ka thënë ai në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, RTK.
Në vlerësimin e Krasniqit edhe këtë temë partia në pushtet e ka politizuar me një qasje populiste.
KQZ, të hënën, nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, kjo pasi që dy anëtarë të KQZ-së, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje – partia në pushtet – Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, votuan kundër.
Disa prej arsyeve për moscertifikimin e Listës Serbe janë vlerësuar thirrjet nacionaliste të kryetarit të saj Elek, gjatë prezantimit të listës së kandidatëve për zgjedhjet e shkurtit, dhe për raportet me terroristin Milan Radojiçiç – personi i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.
Megjithatë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, të mërkurën, aprovoi ankesën e subjektit politik Lista Serbe në lidhje me moscertifikimin nga KQZ-ja.
Në vendimin e lëshuar nga PZAP-ja, KQZ-ja është urdhëruar që ta certifikojë Listën Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar, ndër të tjerë, edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shprehur keqardhje për moscertifikimin e subjektit më të madh politik të serbëve të Kosovës.
