Moscertifikimi nga KQZ-ja, Lista Serbe paralajmëron ankesë

Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek është deklaruar lidhur me moscertifikimin e partisë që drejton për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Besojmë se kjo është bërë me urdhër të Albin Kurtit për të penguar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. Ky vendim nuk ka bazë ligjore dhe është dëshmi se sa shumë dëshiron Kurti të eliminojë serbët nga këto anë. Kurti nuk dëshiron të shohë anëtarë të Listës Serbe në Kuvend, por dëshiron të shohë serbë të bindur si Nenad Rashiqi”, ka thënë Elek.

Ai paralajmëroi ankesë ndaj vendimit.

“Gjatë ditës do të paraqesim ankesë në panelin zgjedhor dhe pres një vendim të qartë prej tyre për ta refuzuar këtë vendim jodemokratik të Kurtit”, shtoi ai, transmeton Klankosova.tv.

Lista Serbe nuk u certifikua për zgjedhjet e vitit të ardhshëm gjatë mbledhjes së djeshme ë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Shkak për moscertifim u vlerësuan thirrjet nacionaliste të kryetarit të Listës Serbe në Kosovë, Zllatan Ellek, të bëra gjatë prezantimit të listës zgjedhore.

Ishin dy vota për, dy kundër, ndërsa, anëtarët e tjerë refuzuan të marrin pjesë në votim.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Sami Kurteshi kundërshtoi që ta votoj këtë parti, pasi që lëshoi një audio-incizim të kryetarit të listës, Zlatan Elek ku u dëgjua me thirrje kundër Republikës se Kosovës.