Kryetari i sektorit privat: 27 herë kam kërkuar takim me kryeministrin Kurti, por nuk kemi mundur ta takojmë

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punonjësve të Sektorit Privat, ka shprehur shqetësimin e tij për dështimin e Qeverisë “Kurti” në realizimin e premtimeve të bëra për përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurinë e punonjësve gjatë këtij mandati katërvjeçar.

Ai ka theksuar se, pavarësisht angazhimeve të bëra nga Qeveria, shumë prej premtimeve kyçe nuk janë përmbushur dhe punonjësit ende përballen me kushte të pasigurta dhe pa mbrojtje adekuate.

Azemi ka përmendur një nga premtimet kryesore të Qeverisë, atë për sigurimin e kontratave të rregullta të punës për të gjithë punonjësit. Ai ka theksuar se kjo ka mbetur një çështje e pazgjidhur për shumë punonjës, përfshirë ata të Kuvendit dhe punonjësit teknikë, të cilët pas shumë viteve punë ende nuk kanë kontrata të rregullta.

‘’ Çdo punëtorë me kontratë pune, punëtorët e kuvendit, punëtorët teknikë që kanë pasur kontrata pune dhe pas 25 viteve ky kryeministër me bashkëpunëtoret e vet sot i kanë lënë në rrugë, edhe përkundër asaj që Inspektorati i Punës e ka obliguar pronarin e kompanisë t’I kthej në Kuvend ‘’, tha Azemi për FrontOnline.

Një tjetër premtim që Azemi ka kritikuar është ai për kufizimin e orëve të punës në 40 orë në javë. Sipas tij, kjo nuk ka ndodhur në realitet, pasi punonjësit e sektorëve të ndryshëm, sidomos ata që punojnë në sektorin e sigurisë fizike, vazhdojnë të punojnë orë të tepërta, shpesh deri në 180-200 orë në muaj, ndërkohë që paguhen vetëm për 160 orë pune

‘’ 40 orë punë tani realisht unë nuk kam ndonjë informacion se është dënuar për shkak se kanë punuar ndodh që punojnë  punëtorët e sigurimit fizik edhe me 180-200 orë në muaj dhe paguhen sigurt të punojnë 160 orë’’, u shpreh Azemi.

Azemi ka përmendur gjithashtu marrëdhëniet e tensionuara mes sindikatave dhe Qeverisë, duke theksuar se asnjëherë nuk janë konsideruar si partnerë të vërtetë, por më shumë si armiq. Ai ka deklaruar se, përkundër përpjekjeve të shumta për të takuar kryeministrin dhe diskutuar çështjet që shqetësojnë sektorin privat, nuk ka pasur asnjë mundësi për të arritur një takim konstruktiv. Azemi ka kërkuar takim me kryeministrin 27 herë gjatë mandatit të tij, por, sipas tij, nuk ka pasur asnjë mundësi për të diskutuar problemet dhe shqetësimet që kanë punonjësit dhe sindikatat.

‘’ Unë kam kërkuar të takohem me kryeministrin 27 herë dhe nuk e kemi pasur rastin asnjëherë të takohemi për gjërat që e shqetësojnë sektorin privat të Kosovës’ ’,përfundoi Azemi.