Shala: Nga lufta ruaj krenarinë që kisha fatin të jem bashkëluftëtar i Thaçit, Veselit, Krasniqit e shumë të tjerëve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka ndarë përvojën e tij nga periudha e luftës. Shala ka reflektuar rreth bashkëpunimit dhe rrugëtimit të përbashkët me krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, si dhe me bashkëluftëtarët.

Shala e vlerësoi lart bashkëpunimin dhe përvojat që ka ndarë me figura të njohura të UÇK-së, duke përmendur veçanërisht Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Shaban Shalën, Nait Hasanin, etj.

“Mënyra dhe rrugëtimi jonë politik nga ilegalja në luftën çlirimtare me kolegët dhe bashkëveprimtarët, me mësuesit që i kishim tash përkrah në luftë, normalisht që ka pasur ndikim dhe, si me thënë, reflektim. Mbresa, kujtime, ka lënë bashkëpunimi dhe rrugëtimi im me Kadri Veselin, me Hashim Thaçin, me mësuesin tim Jakup Krasniqin, me Shaban Shalën, me idealet e Nait Hasanit dhe me bashkëluftetarët si Idriz Hyseni dhe disa të tjerë. Domosdoshmërisht që kanë mbetur mbresa dhe kujtime në mendjen dhe shpirtin tim, kjo veprimtari dhe kjo periudhë kohore.” – tha Shala.