Si e refuzoi Gërvalla kërkesën e Osmanit duke kritikuar propozimin e Ramës për zbatim të njëanshëm të Marrëveshjes

“Vëllazërore në atë mes nuk kishte asgjë”, e cilësoi ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që Kosova ta ngrijë pa afat dialogun me Serbinë, duke zbatuar njëanshëm të gjitha kushtet e normalizimit me Serbinë.

Rama, të premten në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, u përkujdes që të potencoi se ky nuk është “një leksion” për Kosovën, por “opinion vëllazëror”, gjë që sipas Gërvallës po të ishte kështu njeriu fillimisht do të “konsultohej brenda familjes, e nuk do të dilte para mikrofonave të jap këshilla vëllazërore”.

Një këshill të tillë para mikrofonave e kishte dhënë pikërisht edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë muajit nëntor.

Ajo kishte propozuar që Kosova ta zbatojë Marrëveshjen Bazike, njëanshëm, me garanci nga partnerët ndërkombëtar.

Por, për Gërvallën ky propozim i Ramës – në këtë rast edhe i Osmanit – “është një formë e shtimit të presionit ndaj Kosovës”.

“Kosova ka qëndrimet e saj, Kosova ka pozicionet e saj dhe lidhur me qëndrimet dhe pozicionet e saj ka marrë mbështetjen e qytetarëve”, tha ajo në një intervistë për Klan Kosova.

Shefja e Diplomacisë, gjatë intervistës, ndër të tjera qartësoi se institucionet e Kosovës nuk janë të gatshëm të implementojnë një anshëm Marrëveshjen Bazike.

“Implementimi i tillë i njëanshëm do të thoshte që Kosova të kryejë obligimet e veta në raport me dialogun, mirëpo të pajtohet me faktin që nga ana tjetër nuk ka asnjë lëvizje pozitive. Në rrethana të tilla dialogu është tërësisht e pakuptimtë”, shtoi ajo.

Çfarë tha Rama?

Sipas kryeministrit shqiptar, Edi Rama, Kosova duhet të ngrijë pa afat dialogun me Serbinë dhe të vendosë një pikë kontakti vetëm me Bashkimin Evropian, për të avancuar në rrugëtimin evropian të vendit.

Kosova, sipas tij, normalizimi duhet ta synojë vetëm përmes dialogut bilateral me Bashkimin Evropian dhe kështu, duke këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke e lidhur kërthizën e reciprocitetit europianist me BE-në.

“E thënë ndryshe Kosova mund t’ia japë familjes evropiane dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut në një kohë të shkurtër provën e padiskutueshme vullnetit dhe përkatësisë së vet në gjirin e Evropës së bashkuar dhe të NATO-s duke përmbushur unilateralisht të gjitha kushtet e normalizimit me Serbinë, jo për hir të Serbisë, por për hir të martirëve dhe fëmijëve të vet dhe për hir të bashkimit tonë kombëtar në familjen e kombeve evropiane me kryeqytet të përbashkët Brukselin”, tha ai.

Po, Osmani?

Në një prononcim për media gjatë muajit nëntor Osmani, tha se Kosova mund ta zbatojë Marrëveshjen Bazike (Bruksel më 27 shkurt, Ohër më 18 mars 2023), njëanshëm, me garanci nga partnerët ndërkombëtar.

“Është qëndrimi vetëm i imi, jo domosdoshmërisht i institucioneve tjera, e kam thënë, ka të bëjë me mënyrën të cilat ne i kemi shfrytëzuar në vitin 2007-2008 që do të thotë se atëherë kur Serbia nuk zbatonte, ne e kemi pasur me marrëveshjen tonë me partnerët, me aleatët edhe pse Kosova pakon e Ahtisarit e kishte zbatuar në mënyrë të njëanshme ajo çfarë kishte përfituar ishte pavarësia, njohjet, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare”, deklaroi Osmani.

E para vendit potencoi se në qoftë se partnerët ndërkombëtarë janë të interesuar “që ne të ulemi me ta dhe zbatimi i marrëveshjeve nga ana e Kosovës të lidhet me përkrahje ndërkombëtare, garanci të sigurisë, njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare kjo është një situatë e re”. /AlbanianPost/