Kosova e harroi propozimin për “Oscar”, sepse ‘kishte’ probleme me e-mail’

Dy muaj e sa pas humbjes së ritmit dhjetëvjeçar me propozim për nominim për “Oscar”, Qendra Kinematografike e Kosovës ka thyer heshtjen për arsyen e mos-hapjes së konkursit. “Ne kishim një problem me e-maile, po them është problem shumë teknik i cili na ndodhi ashtu siç ndodhi dhe nuk e kemi pranuar me kohë e-mailin për propozime që vjen nga ‘Oscari’”, ka thënë Blerta Zeqiri, drejtoreshë e QKK-së, e cila ka folur për rrugëtimin e filmit e të institucionit për sivjet përderisa ka paralajmëruar “premiera bombastike” për vitin që vjen.

Përderisa era e çmimeve “Oscar” ka nisur të fryjë me shpallje listash të gjera, Qendra Kinematografike e Kosovës mbi dy muaj pas huqjes së shansit për të propozuar për nominim, e ka thyer heshtjen për këtë rast. S’ka propozuar, sepse “kishte probleme me e-mail”. Ky ka qenë arsyetimi që ka dhënë drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri, në një intervistë të gjatë, e cila do të transmetohet sot (e shtunë) në emisionin “Nëpër film”, e ku ajo ka folur për ato që i ka listuar si suksese të institucionit që drejton e të filmit, duke dhënë edhe arsyetimin për shkëputjen për të dytin vit të Kosovës drejt çmimit të “Academy Awards”, një traditë e nisur para një dekade.

“Ne kishim një problem me e-maile, po them është problem shumë teknik i cili na ndodhi ashtu siç ndodhi dhe nuk e kemi pranuar me kohë e-mailin për propozime që vjen nga ‘Oscari’. Momentin kur neve na u kujtua që, ‘pse nuk erdhi ai e-mail?’, dhe kur kemi shikuar pse nuk ka ardhur, veçse ishte shumë vonë. Kemi kërkuar, kemi telefonuar dhe kemi bërë çmos për të na lejuar ta krijojmë komisionin, mirëpo fatkeqësisht nuk ia arritëm”, ka thënë Zeqiri.

Institucioni më i lartë i kinematografisë sivjet nuk kishte ka hapur fare konkurs nëpërmjet të cilit shtëpitë filmike do të propozonin filmat e tyre para komitetit selektues të “Oscar”. Mundësia ishte humbur pasi koha e shpalljes së kandidatëve ka qenë deri më 2 tetor. Vjet së paku e hapi thirrjen. Por në fund të shtatorit kishte njoftuar se nuk do të ketë kandidat. Kishte thënë se për një dekadë të tërë Kosova ka zhvilluar bashkëpunime dhe vazhdon si e tillë të rrisë marrëdhëniet me Akademinë e Çmimeve “Oscars” dhe komunitetin e tij vlerësues. Por, sipas QKK-së, pas trajtimit të aplikimeve të atij viti, anëtarët e Komitetit Selektues kishin vendosur të mos propozojnë film për edicionin e “Oscars 2024”.

Sa i përket dështimit të sivjetmë me kandidatin për nominim për çmimin prestigjioz “Oscar” në QKK nuk kishin dhënë kurrfarë përgjigjeje. KOHA i ishte drejtuar drejtoreshës Blerta Zeqiri e cila kishte rekomanduar që pyetjet t’i adresohen zyrtarit Lum Çitaku. Por Çitaku nuk ishte përgjigjur fare. KOHA kishte insistuar prapë te drejtoresha Zeqiri, por edhe ajo ka rizgjedhur heshtjen.

Deri tash, kur edhe për “problemin teknik” ka thënë se e merr përgjegjësinë. Ka paragjykuar se edhe sikur të hapjen konkursi, mund të mos kishte propozime për nominim.

“Mendoj që sivjet kemi pasur një vit shumë të suksesshëm sa i përket filmit të shkurtër. Filmi i metrazhit të gjatë ka qenë i suksesshëm, por sa kemi pasur informata ne, asnjë nga filmat nuk i ka plotësuar kushtet që duhet t’i kishte, që premierat t’i kenë shënuar në vend dhe në kinema e të tjera e që do të mund të aplikonte. E them me aq informata që kemi pasur. Megjithatë, kjo nuk na shfajëson, sepse ne nuk do të thotë se i dimë të gjitha dhe duhet secilin vit të hapet konkursi. Ka ndodhur një problem teknik shumë banal, i cili më mirë është të mos flitet sesa të flitet, dhe ai ka qenë shkaku, të themi një mosmenaxhim i situatës, barra e së cilës më bie mua në këtë rast si drejtuese e institucionit”, ka thënë Zeqiri.

Por sipas vetë asaj, disa prej filmave kanë pasur mundësi të shfaqen nëpër kinematë e Kosovës për t’i plotësuar kushtet për aplikim.

“Kanë qenë ‘Bota jonë’ i Luana Bajramit, ‘Okarina’ dhe filma të tjerë. Nuk u humbet shansi, sepse mund ta bëjnë këtë edhe vitin e ardhshëm dhe do të ketë më shumë filma në momentin kur e hapim konkursin për aplikime. Prapë po e them, ky ka qenë një… nuk shfajësohet fakti që nuk e kemi hapur konkursin sivjet, është një rrethanë lehtësuese që nuk ka pasur filma të cilët i kishin plotësuar kushtet, por kjo nuk ka qenë arsyeja e mos-hapjes së konkursit”, ka thënë Zeqiri.

Pavarësisht humbjes së shansit për “shkaqe teknike” sipas drejtoreshës së QKK-së, viti 2024 ka qenë i suksesshëm.

“Mendoj se viti 2024 ka qenë shumë i suksesshëm për QKK-n dhe filmin në përgjithësi. E kemi filluar vitin me disa suksese të mëdha dhe të papritura të filmit të shkurtër dokumentar në Festivalin e Rotterdamit ku edhe e fituam çmimin kryesor me ‘Krahët e punëtorëve’ të regjisorit Ilir Hasanaj. Po në atë festival që është i kategorisë A, ku është vështirë të jesh pjesëmarrës, ne në mesin e 11 pjesëmarrësve i kemi pasur dy filma nga Kosova dhe kjo është një mundësi unike”, ka thënë Zeqiri duke përmendur edhe filmin e “Rrugës” të Samir Karahodës me premierë në Festivalin e Cannes.

“Diçka tjetër që e veçon këtë vit dhe besoj do të mbahet në mend është Rregullorja për të drejtën e rabatit, e cila ka hyrë në fuqi muajin e kaluar. Është diçka për të cilën komuniteti ynë ka punuar me vite, duke lobuar dhe kërkuar një gjë të tillë, sepse kjo mundëson investime nga jashtë për filmin dhe të vijnë e të prodhohen filma në Kosovë dhe jo vetëm”, ka thënë ajo.

Në mes të nëntorit, Qeveria e Kosovës miratoi Rregulloren për të drejtën e rabatit me të cilën ekzekutivi është i bindur se Kosova bëhet top-destinacion për veprimtari filmike. Nëse një kompani e huaj ia mësyn të realizojë film, videolojëra e videoklip, shteti do t’ia kthejë 30 për qind të shumës direkte që ka investuar në Kosovë. Përderisa për dikë kjo është mundësi shumë e mirë për ta promovuar vendin e për të ndikuar te komuniteti i filmit, për dikë rabati diskriminon kineastët vendorë dhe i hap rrugë skemës së mashtrimit. Por shteti i Kosovës synon që të bëhet konkurrent krahas vendeve të tjera që u ofrojnë mundësi e lehtësira kompanive të mëdha kinematografike.

Një javë më parë KOHA kishte raportuar se me zvarritjet që e kanë mbërthyer tash e sa kohë, në fundvit Qendrës Kinematografike të Kosovës i është mbështjellë filmi. Më pak se tri javë pa përfunduar viti, kishte hapur konkursin për projekte filmike të cilin kishte dështuar ta hapë me kohë edhe vjet. Por sivjet e ka hapur vetëm për film të gjatë, duke djegur dhjetë kategori të tjera prej filmit të shkurtër deri tek animacioni. Ka pasur 1.6 milion euro buxhet, e bilancet e suficitit dalin në fund të muajit. Drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri, kishte thënë se “në fillim të vitit të ardhshëm do të hapet përsëri thirrja për të gjitha kategoritë”.

Në intervistë ka thënë se beson se do të ketë aplikime.

“Edhe para hapjes së konkursit ka pasur kërkesa se kur do të hapet ai. Në fillim zakonisht nuk aplikojnë menjëherë si të hapet konkursi, por do të ketë aplikues dhe shpresojmë se juria do t’i zgjedhë projektet më të mira dhe do të vazhdojë ta bëjë punën ashtu siç ka ditur ta bëjë deri më tash, që mendoj se është treguar gjithmonë se juria vlerësuese e projekteve të QKK-së ka ditur t’i zgjedhë projektet fituese dhe këtë po na e tregojnë faktet dhe këto suksese”, ka thënë Zeqiri.

Sipas drejtoreshës së QKK-së, investimi, përzgjedhja që bëhet në filmin kosovar, është shumë pozitive dhe më e madhe sesa vendet e tjera që kanë buxhete tepër të mëdha dhe nuk i kanë sukseset që i ka Kosova.

Për vitin e ardhshëm ajo ka paralajmëruar disa “premiera bombastike”.

“Jo një por më shumë se një dhe do të jemi shumë krenarë. Kemi lajme të mira që edhe ky vit do të fillojë në formë bombastike. Mund të them me shumë gëzim dhe krenari se puna dhe filmat që janë prodhuar dhe të cilët pritet ta kenë premierën në vitin 2025, do të jenë filma që do të mbahen në mend, jo vetëm për Kosovën, por edhe për botën. Shpresoj shumë që kjo valë, që është quajtur vala kosovare, të shkojë duke u bërë edhe më e madhe dhe të bëhet një Tsunami”, ka thënë Zeqiri. /Koha/