MPJD drejt dështimit të plotë: Shërbimet postare diplomatike mbeten në krizë për shkak të anulimit të tenderit

Pas fluksit të kërkesave nga diaspora dhe një tenderi me afate të shkurtuara, MPJD nuk arriti të sigurojë kontraktor për shërbimet diplomatike, duke thelluar krizën në këtë sektor, shkruan Demokracia.com.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) po përballet me një situatë të ndërlikuar sa i përket shërbimeve postare diplomatike, teksa në garë për këtë tender ishte sërish kompania A.L. Dushi Sh.p.k., e cila disa muaj më parë kishte dështuar në përmbushjen e kontratës. MPJD-ja shkroi afat për aplikim në këtë tender me arsyetimin se janë paraqitur nevoja ekstreme për të kryer shërbime diplomatike, por në fund e anuloi krejt tenderin, duke e thelluar krizën edhe më tute.

Pas fluksit të madh të kërkesave nga diaspora për pajisje me dokumente udhëtimi, MPJD-ja shpalli një tender të ri për shërbimet postare diplomatike, me vlerë prej 250 mijë euro për 36 muaj. Megjithatë, afati për dorëzimin e ofertave u shkurtua në 16 ditë për shkak të “emergjencës”. Ky afat ishte dukshëm më i ulët sesa afati standard 40-ditor i paraparë nga Ligji për Prokurim Publik (LPP).

Demokracia.com ka raportuar se në garë për këtë tender kanë qenë:

  • Kompania “3P” Sh.p.k. ka ofertuar me çmim prej 1996.00 euro për njësi.
  • Kompania “A.L Dushi” Sh.p.k., të cilës iu shkëput kontrata më parë, ka ofertuar me një çmim shumë më të ulët, 616.70 euro për njësi – rreth 69.1% më lirë.

Së fundmi, MPJD-ja ngarkoi një dokument në E- prokurim duke njoftuar asnjëra nga kompanitë konkurrente nuk i kanë përpushur kriteret, dukë renditure një mori arsyeje. Kësisoj ka anuluar kompletë tenderin.

Demokracia.com ka raportuar se tenderi për “Shërbimet Postare Diplomatike” që u hap në nëntor i ishin shkurtuar afatet për aplikim nga ana e kompanive të interesuara për shkak të emergjencave të shkaktuara.

Sipas Ligjit të Prokurimit Publik (LPP), afati për dorëzimin e ofertave për tenderët e mëdhenj është 40 ditë. Megjithatë, MPJD-ja ka shkurtuar këtë afat në 16 ditë, duke thënë se ofertat do të hapen më 29 nëntor. Ministria ka justifikuar këtë veprim, duke theksuar kërkesën e madhe për pajisje me dokumente udhëtimi, të cilat janë të domosdoshme për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë, veçanërisht të diasporës.

“Momentalisht jemi pa kontratë dhe nevoja për këto shërbime është urgjente. Kemi kërkesa të shumta për pajisje me dokumente të udhëtimit, të cilat janë të nevojshme për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve tanë, sidomos për diasporën”, thuhet në njoftimin e kontratës, pikërisht në seksionin IV.3.3, që lidhet me afatin për dorëzimin e ofertave.

Situata bëhet edhe më e vështirë kur shihet se MPJD-ja ka anashkaluar operatorin publik për këto shërbime. Posta e Kosovës, si një ndërmarrje publike, teorikisht ka kapacitete për të ofruar shërbime të tilla, por deri më tani nuk është marrë parasysh si opsion.

Që para rreth dy javësh, Demokracia.com ka dërguar pyetje në Ndërmarrjen Publike Qendrore “Posta e Kosovës” për të pyetur nëse kanë kapacitete për të kryer këto shërbime, nëse ato do të kërkoheshin nga MPJD-ja? Kjo ndërmarrje publike nuk ka dashur të përgjigjet.

Demokracia.com raportoi po ashtu para pak javësh se MPJD-ja ndërpreu kontratën e saj me “A.L. Dushi Sh.p.k.” për shkelje të përsëritura në përmbushjen e afateve për dërgesat diplomatike. Kontrata e numëruar 216-23-13152-2-1-1 u ndërpre pas rekomandimit të menaxherit të kontratës, për shkak të dështimeve të kompanisë në dorëzimet e dërgesave diplomatike brenda afateve të specifikuara.

Dështimi i kësaj kompanie në përmbushjen e afateve kohore u shoqërua me një incident të rëndë më 1 korrik 2024, kur një dërgesë nga Ambasada e Kosovës në Romë mbërriti me zarfe të dëmtuara, përfshirë lëndë gjyqësore. Më pas u raportuan vonesa të tjera, përfshirë mosdorëzimin e dërgesave diplomatike në ambasadën në Bern më 17 korrik 2024, të cilat ishin lënë në një postë publike jashtë ndërtesës së ambasadës.

Pavarësisht vërejtjeve dhe paralajmërimeve nga menaxheri i kontratës, “A.L. Dushi Sh.p.k.” vazhdoi të dështojë në përmbushjen e afateve. Për këtë arsye, kontrata prej 250,000 eurosh u ndërpre dhe deri në atë moment, kompania kishte kryer vetëm 22,177.78 euro për periudhën qershor-shtator. Vendimi u mor pas një shqyrtimi të hollësishëm të situatës dhe shkeljeve të njëpasnjëshme.

Kjo çështje e ndërlikuar tregon për problematikat në përzgjedhjen e operatorëve për shërbime kyçe, si ato diplomatike dhe vë në pikëpyetje standardet e konkurrencës dhe përputhshmërisë me Ligjin në Prokurimet Publike në vend. /Demokracia.com/