Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka thënë se Kosova dhe Shqipëria të dyja janë bashkë në integrimit evropian.
Në seancën e përbashkët të dyja parlamenteve, ai është shprehur se Prishtina do të marrë mësim nga rruga e Tiranës që është hapa më përpara për në BE.
“Përveçse përfaqësojmë idealin e përbashkët kombëtar, përfaqësojmë edhe idealin tjetër të përbashkët të integrimit evropian të të dyja vendeve tona, pra synojmë të njëjtën familje. Shqipëria ka ecur përpara në rrugën e integrimit dhe mësimet e saj do të jenë shumë të dobishme për ne. Pavarësisht, rrethanave aktuale të masave absurde që na ka vënë Bashkimi Evropian”.
Konjufca ka thënë se Shqipëria e ka mbështetur Kosovën në arenën ndërkombëtare, dhe ka falënderuar institucionet shqiptare për këtë.
“Shqiptarët gjithmonë kanë qenë aleati më i natyrshëm i vlerave perëndimore në Ballkan. E falënderojmë Republikën e Shqipërisë, Kuvendin dhe Qeverinë e Shqipërisë, që kanë qenë të zëshme për mbrojtjen e interesave të Kosovës dhe shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në çdo forum të rëndësishëm të botës. Dhe që e drejta e Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit të saj, integritetit të saj, forcimit të ligjit dhe shtetit demokratik nuk mund të konsiderohen në asnjë mënyrë cenim i fqinjësisë së mirë dhe as përshkallëzim me fqinjët tanë”, ka thënë Konjufca.
Konjufca tha se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë pa pasë njohje reciproke, si dy shtete sovrane që nuk e kontestojnë njëra-tjetrën.
“Ne themi vetëm kjo është zgjidhja për relacionin mes Kosovës dhe Serbisë, ne jemi shumë të bindur se kjo do të ndodhë sepse e kemi në krah Republikën e Shqipërisë”, ka thënë Konjufca.
