Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e regjistrimit të popullsisë, regjistrim ky i dyti që realizohet në Kosovën demokratike. Megjithatë, ky proces është përshkuar nga akuza për shkelje të rënda, duke përfshirë cenimin e të drejtës për deklarimin e bindjes fetare të individit, e cila është e garantuar me konventa ndërkombëtare dhe ligjet e Kosovës.
Në një reagim publik, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës (KPUK) ka shprehur indinjatën e saj ndaj rezultateve, të cilat i cilëson si “një skandal të paprecedent”. Sipas KPUK-së, edhe në këtë regjistrim, sikurse në atë të vitit 2011, janë diskriminuar dy komunitete fetare – Komuniteti Hebre dhe ai Protestant Ungjillor – duke u eliminuar nga pyetësori.
“Këtë veprim e konsiderojmë si tendencë për ngufatje të vullnetit të individit për të besuar sipas zgjedhjes personale. Kjo ka shkaktuar indinjatë tek besimtarët protestantë ungjillorë të Kosovës”, thuhet në reagimin e KPUK-së, duke theksuar se veprimet e ASK-së janë të papranueshme në një shoqëri demokratike.
Kisha Protestante Ungjillore po ashtu ka rikujtuar se Ligji për Lirinë e Fesë në Kosovë i njeh pesë bashkësi fetare: Islame, Ortodokse, Katolike, Protestante dhe Hebreje. KPUK ka akuzuar ASK-në për heqjen e paligjshme të dy prej këtyre bashkësive nga lista e pyetësorit, duke vënë në funksion agjenda që ajo i cilëson si “desintegruese”.
Në reagimin e saj, KPUK ka bërë thirrje për reflektim, duke theksuar se manipulimet me shifrat demografike dëmtojnë imazhin dhe të ardhmen e Kosovës. Kryetari i KPUK-së, pastor Imir Gashi, ka deklaruar: “Asnjë sistem politik e ideologjik nuk mund ta ndalojë bindjen shpirtërore të njeriut.”
Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës ka paralajmëruar se do të vazhdojë të ngrejë zërin kundër diskriminimit fetar dhe çdo përpjekjeje për të manipuluar të dhënat që lidhen me komunitetin e saj.
