Çitaku: Shqetësuese indiferenca e institucioneve të Kosovës karshi procesit në Hagë

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se e shqetëson fakti se institucionet e Republikës së Kosovës kanë indiferencë dhe mospërfillje ndaj procesit gjyqësor në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

“Ajo çfarë mua më shqetëson nuk është mirëqenia e tyre emocionale, psiqike, se ata janë njerëz të fortë, që janë përballë me sfida shumëfish më të mëdha, e shumëfish më problematike dhe më të rrezikshme. Ajo që më shqetëson në krejt këtë dramë është indiferenca e institucioneve të Republikës së Kosovës, mospërfillja e këtyre institucioneve karshi procesit në Hagë. Hashim Thaçi dhe shokët e tij në Hagë nuk e përfaqësojnë vetveten, nuk janë emra të përveçëm, atje përfaqësojnë një epokë”, tha Çitaku në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova.

Tutje ajo shton se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi nuk janë njerëz të rëndomtë, sepse ata kanë suksese, sfida e jetë që nuk është për njerëzit e rëndomtë, transmeton Klankosova.tv.

Çitaku po ashtu shton se në vizitën e saj të fundit në Hagë, Thaçin e gjeti me besim, disponim e moral të njëjtë si çdo herë.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi nuk janë njerëz të rëndomtë, të rëndomtit nuk e bëjnë jetën e tyre, të rëndomtit nuk arrijnë sukseset që kanë pasur ata, të rëndomtit nuk përballen me sfidat me të cilat përballen ata. Unë e mbaj herën e parë kur e kam takuar presidentin Thaçi, zotin Veseli dhe të tjerët në Hagë. Që të gjithë më kanë thënë të njëjtën gjë, ‘ne kemi mundur të jemi të vdekur, dhe kjo është thjesht një sfidë e radhës’. Me të njëjtën moral, me të njëjtin disponim, me të njëjtin besim në drejtësi, që për mua është befasuese, e pash presidentin Thaçi edhe kësaj radhe”, tha ajo.