Për shkak që Autoriteti Qendror i Prokurimit ka pranuar vetëm dy oferta dhe që të dyja në vlerën rreth 50% mbi vlerën e parashikuar, ky institucion e ka ritenderuar aktivitetin e prokurimit me të cilin komunat në Kosovë marrin me qira veturat. Nga Komuna e Prishtinës thanë se në pjesët afër po dalin në këmbë kurse në disa raste edhe me vetura personale por që kanë mbetur pa kryer shumicën e punëve.
Ekipet e emergjencës, sigurisë, inspektoratit e të ngjashme janë duke dal në teren në këmbë ose me vetura personale.
Kjo pasi që kontrata e lidhur nga Autoriteti Qendror i Prokurimit ka skaduar me 5 dhjetor, bazuar në të cilën Komuna e Prishtinës, kishte marrë me qira 76 vetura.
AQP-ja kanë treguar për televizionin arsyet e këtyre vonesave.
“Fillimisht është anuluar ne mungese te ofertave brenda vlerës së parashikuar pasi që kemi pranuar vetëm dy oferta dhe që të dyja në vlerën rreth 50% mbi vlerën e parashikuar. Me këtë rast konsiderojmë që as AQP por as institucionet tjera nuk janë të gatshme të paguajnë qira të veturave mbi vlerën që ka arsyeshmëri ekonomike. AQP ka ri tenderuar këtë aktivitet të prokurimit i cili është publik dhe sipas afateve të përcaktuara ligjore hapja e ofertave është me datën 30.12.2024. Procedura është publike dhe të gjitha palët e interesuara mund të shohin në e-prokurimi dhe të shohin që kërkesat e vetme janë një deklaratë nën betim, certifikata e biznesit dhe katalogu, pra vetëm këto kërkesa kërkohen nga ofertuesit”, thuhet nga Autoriteti Qendror i Prokurimit.
Drejtori i Emergjencave dhe Sigurisë në Prishtinë tregon se çfarë probleme kanë hasur me dorëzimin e veturave.
“Shërbimet primare ose vitale që janë në interes të qytetarëve janë prek kryesisht po flasim për dy drejtoritë më rëndësishme që kemi në teren drejtorinë e inspeksionit dhe drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave që ne na është pamundësu puna normale në shërbim të qytetarëve”, ka deklaruar Lulzim Fushtica, Drejtor i Emegjencave dhe Sigurisë.
Fushtica thotë se disa punë po i kryejnë edhe në këmbë.
“Shumica e rasteve që i kemi brenda qytetetit dalim në këmbë, zyrtarë dhe inspektor, por keni parasysh ne po flasim për një territor të kryeqytetit ku përfshihen 43 fshtara që është e pamundur duke përfshi edhe fshatrat më larg si Prapashticë, Koqekollë, etj”, ka deklaruar ai.
Nga Asociacioni i Komunave të Kosovës thanë se janë në mbledhje të informatave nga të gjitha komunat.
