Rreth 40 fakultete shtetërore të katër universiteteve në Serbi janë zyrtarisht nën bllokadë dhe sot studentët kanë bërë nderime për viktimat e tragjedisë në Novi Sad duke bllokuar rrugët për 15 minuta.
Bllokadave u janë bashkuar sot studentët e Shkollës së Biznesit në Novi Sad, Fakultetit të Elektronikës në Nish dhe Fakultetit Shkencë-Matematikor në Kragujevc, të njëjtën gjë e kanë bërë të ditur edhe studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Novi Sad.
Studentët kërkojnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, si dhe zbardhjen e përgjegjësve për sulmin ndaj studentëve të FDU-së. Studentët u mbështetën nga Universiteti i Beogradit, profesorë të shumtë, aktivistë, fermerë dhe parti politike, si dhe qytetarë, raporton N1, transmeton Klan Kosova.
Pak më shumë se dy javë më parë, studentët filluan të bllokojnë fakultetet dhe që atëherë, fakultete të reja janë bashkuar çdo ditë në të gjithë Serbinë. Në Universitetin e Beogradit, 25 nga 31 fakultete kanë hyrë në bllokadë, në Universitetin e Novi Sadit pothuajse të gjitha fakultetet janë të bllokuara. Studentët e Fakultetit të Mjekësisë njoftuan se do t’i bashkohen bllokadave sot, ndërsa Fakulteti i Sportit dhe Edukimit Fizik nuk është në bllokadë.
Në Universitetin e Nishit, i cili ka 13 fakultete, deri më tani janë bllokuar tre – Fakulteti Filozofik, Fakulteti i Shkencave dhe Fakulteti i Arteve. Në Universitetin e Kragujevcit, studentët e Fakultetit të Filologjisë dhe Arteve kanë bllokuar rektoratin që nga e premtja e 6 dhjetorit dhe atyre iu bashkuan kolegët e Fakultetit të Shkencave Inxhinierike.
E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë fjalimit të tij tha se ishte ide e tij dhe se do t’i propozonte Kuvendit të qytetit të Novi Sadit që në vendin ku ndodhi aksidenti në stacionin hekurudhor, të ngritet një monument për 15 viktimat.