Rebelët marrin kontrollin e Sirisë, Ministria e Jashtme lëshon një deklaratë

Ministria e Jashtme siriane sapo ka lëshuar një deklaratë, në të cilën thotë se “një faqe e re po shkruhet në historinë e Sirisë” sot me vendin që ka duruar gati 14 vjet luftë civile, raporton The Guardian.

“Vëllezër sirianë: sot po shkruhet një faqe e re në historinë e Sirisë”, thuhet në fillim të deklaratës.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe emigrantëve e Republikës Arabe Siriane dhe misionet e saj diplomatike jashtë vendit do të mbeten të përkushtuara për t’i shërbyer të gjithë bashkëqytetarëve dhe për t’i menaxhuar punët e tyre, bazuar në besimin që ata kanë në përfaqësimin e popullit sirian dhe se atdheu mbetet suprem”, thuhet ndër tjerash në deklaratë.

Presidenti Bashar al-Assad shtypi një kryengritje popullore kundër tij në vitin 2011, kur sirianët për herë të parë dolën në rrugët e qyteteve të mëdha për të kërkuar rrëzimin e tij. Ajo që filloi si demonstrata paqësore më vonë u përhap në një luftë civile që vlerësohet të ketë vrarë më shumë se 300,000 njerëz në 10 vjet luftime.

Udhëheqësi sirian nuk është parë apo dëgjuar publikisht që kur rebelët hynë në kryeqytet herët të dielën në mëngjes.