Lista Serbe veproi njëjtë edhe në qershor, por atëherë VV nuk reagoi

Shkuarja e sotme e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës vetëm sa për t’u nënshkruar, që të vazhdojnë të paguhen, ka shkaktuar reagim të ashpër nga deputetët e pushtetit.

Ata ua zunë rrugën, duke mos i lejuar të ulen, përderisa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se këto veprime janë për turp, shkruan Nacionale.

Në një video të publikuar nga “EO”, Konjufca dëgjohet duke u thënë atyre: “Turp të keni, ndërprehet kjo seancë e kërkoj me u liru këtë sallë”.

“Ju drejtohem deputetëve të Listës Serbe që vinë e provokojnë në këtë mënyrë. E me të vërtetë patoleroueshme në Kuvend kjo sjellje një herë gjashtë muaj vini në Kuvend vetëm për me i keqpërdor para të taksapaguesve. Në anën tjetër, e luftoni Republikën e Kosovës me çdo mjet që keni. Shkoni i rrini gatitu shefit kriminel, Radoiçiqit. Në të njejtën kohë, keni guxim me ardh në Kuvendin e Kosovës. Turp të keni, ndërprehet kjo seancë e kërkoj me u liru këtë sallë.” – ka thënë Konjufca.

Me të përfunduar seanca, deptutetët e përkrahësit e pushtetit filluan ta shpërndajnë këtë deklaratë, dhe pamjet e përplasjes së deputetëve të VV-së me ata të Listës Serbe.

Megjithatë, disa prej komenteve, hodhën dilema nëse ky veprim i pushtetit ndërlidhej me fushatën zgjedhore në Kosovë.

Kjo pasi në qershor të këtij viti, deputetët e Listës Serbe, njëjtë, kishin shkuar veç sa për t’u nënshkruar.

Por, askush nga pushteti nuk e çeli gojën, e lëre më t’ua bllokojë ulëset.

Janë dhjetë deputetët e komunitetit serb që mbajnë ulëse në Kuvendin e Kosovës. 9 nga ta janë deputetë të Listës Serbe ndërkaq i dhjeti është nga Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Deputetët e rinj të Listës Serbe ishin betuar në mes të nëntorit në vitin 2022, para se 9 të kaluarit të dorëhiqeshin, pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Këta deputetë shkuan të nënshkruhen dhe dolën, në sallën e seancave në katin më të lartë të Kuvendit, pasi salla e seancave plenare ishte në renovim.

Një gjë të tillë e ka thënë edhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Njëjtë kishin vepruar edhe herave të tjera. Para rreth një viti, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, u kishte kërkuar administratës që t’ua ndalin mëditjet për një ditë.

Sipas nenit 70 të Kushtetutës, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse mungon në seancat e Kuvendit gjashtë muaj rresht.

E kjo është arsyeja që një here në gjashtë muaj, këta deputetët shkonin në Kuvend për ta siguruar vazhdimin e mandatit.