Dërguti për Gjykatën Speciale: Është produkt i Këshillit të Evropës – koha për protesta

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka folur për Gjykatën Speciale, duke thënë se do të ketë reagim popullor dhe se është koha për protesta.

Ajo u shpreh se kjo gjykatë është produkt i Këshillit të Evropës, i cili sipas saj, tani po hesht në gjithë çfarë po ndodh.

“Tash e sa vite janë të kujdesshëm ekipet mbrojtëse, hezitojnë të marrin pjesë në paraqitjet mediatike dhe në fund del kjo situatë kur edhe ata përndiqen. Mendoj ky absurd do të fillojë të shpërfaqet gjithnjë e më shumë dhe për sa kohë nuk kemi reagim institucional, unë mendoj që do të ketë reagim popullor dhe unë besoj që tashmë është koha për protesta”.

“Dhe kjo duhet të adresohet pikërisht tek Këshilli i Evropës, që duhet të kthejë kokën dhe të kërkojnë nga Këshilli i Evropës që të trajtojë edhe njëherë me një absurd që e kanë ndërtuar vet dhe i cili i tejkalon të gjithë kufijtë për çka Këshilli i Evropës e ka një prej idealeve të saj, pra përkujdeset për të drejtat e njeriut në të gjithë botën dhe e ngrit zërin saherë që ka shkelje të drejtave të njeriut çdokund dhe tani kjo që është produkt, Gjykata Speciale është produkt i Këshillimit të Evropës, po hesht në krejt këtë çka ndodh”, është shprehur tutje Dërguti.