Skandal: Flamuri i Kosovës mbrapsht në takimin e Sveçlës në Emiratet e Bashkuara Arabe

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka qëndruar në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ka zhvilluar disa takime.

Në mesin e tyre ishte edhe ai i ditës së djeshme me Zëvëndëskryeministrin dhe ministrin e brendshëm të këtij vendi, Lartësinë e Tij, Sheikh Saif bin Zayed Al Nahyan.

Por, këtu u regjistrua një skandal.

Flamuri i Republikës së Kosovës, prapa ministrit Sveçla, është vendosur mbrapsht. (shih këtudhe këtu)

Këtë si duket nuk e ka vënë re fare delegacioni i Kosovës, e aq më pak mikpritësi, raporton klankosova. Megjithatë, nga ky takim u arrit marrëveshja e njohjes së ndërsjellë të patentshoferëve mes Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Sipas Ligjit për Përdorimin e Simboleve Shtetërore të Kosovës, vendosja e parregullt e simboleve shtetërore, është e dënueshme si kundërvajtje.

Neni 17 i Ligjit

Sanksionet kundërvajtëse

17.1 Me gjobë prej 500 – 1000 euro do të ndëshkohet personi juridik në rast se:

  1. a) e përdor stemën apo flamurin në kundërshtim me paragrafin 3 të nenit 2 të këtij ligji;
  2. b) e përdor stemën apo flamurin në formë apo përmbajtje, e cila nuk është përcaktuar me këtë ligj si dhe me dispozitat ligjore në fuqi;
  3. c) në vend publik shpalos stemën apo flamurin të vjetruara, në formë të parregullt, të dëmtuara apo në ndonjë mënyrë tjetër të dëmtuar;
  4. d) nuk përdor stemën apo flamurin kur përdorimi është i detyrueshëm;
  5. e) ekzekutimin e himnit të Republikës së Kosovës në kundërshtim me paragrafin 6 të nenit 15 të këtij ligji dhe dispozitave ligjore në fuqi.

17.2 Për shkelje nga paragrafi 1 i këtij neni do të shqiptohet gjoba nga 250-500 euro zyrtarit përgjegjës të personit juridik.

17.3 Për shkelje nga paragrafi 1 i këtij neni do të shqiptohet gjoba nga 250-500 euro personit përgjegjës në organet shtetërore.

17.4 Me gjobë prej 150 – 300 euro do të ndëshkohet personi fizik për shkeljet nga pikat a,b,c,d dhe e të këtij neni.