Në janar të vitit 2024, një vajzë 23-vjeçare u lëndua rëndë nga rrëzimi i materialeve ndërtimore prej kulmit të ndërtesës së re të Komunës së Prishtinës. Ky kulm që paraqiti rrezik për punëtorët dhe kalimtarët, ishte rindërtuar vetëm disa javë më parë nga kompania “NBT-ING” SH.P.K. Për këtë rast, një përfaqësues i kompanisë dhe një zyrtar i komunës u arrestuan përkohësisht, por më pas u liruan. Në një zhvillim që sfidon logjikën, Demokracia.com ka zbuluar se Komuna e Prishtinës ka vendosur të angazhojë të njëjtën kompani për një projekt tjetër të rëndësishëm: instalimin e shkallëve emergjente në katër shkolla të kryeqytetit.
Kompania “NBT-ING” SH.P.K., me pronar Bexhet Baftjaraj, pritet të nënshkruajë sot kontratën për projektin e quajtur “62 shkallët emergjente për shkollat e kryeqytetit”. Vlera e parashikuar e kontratës ishte 90 mijë euro, ndërsa kompania ka ofertuar për shumën prej 84,966.41 euro. Shkollat që do të pajisen me shkallë emergjente janë: “Asim Vokshi”, “Elena Gjika”, “Faik Konica” dhe “Zenel Hajdini”.
Rasti i rrëzimit të kulmit të ndërtesës së komunës, më 18 janar 2024, la pas një vajzë të lënduar rëndë, disa automjete të dëmtuara dhe një histori keqmenaxhimi që ende nuk ka marrë zgjidhje. Prokuroria ka dyshuar për përfshirjen e dy personave: Bekim Baftjaraj, përfaqësues i kompanisë “NBT-ING” dhe Ylber Jashari, zyrtar i Komunës së Prishtinës. Të dyshuarit janë akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, por pas 11 muajsh gjykata ende nuk ka ngritur aktakuzë dhe as nuk ka vendosur masa sigurie ndaj tyre, raporton Demokracia.com.
Prokuroria pretendon se Ylber Jashari, në cilësinë e menaxherit të kontratës për rindërtimin e kulmit, ka tejkaluar kompetencat duke i mundësuar përfitime të paligjshme kompanisë “NBT-ING”. Në dosjen e prokurorisë thuhet se Jashari ka pranuar si të kryera punimet që, sipas pretendimeve, nuk ishin realizuar sipas kontratës. Ky veprim i ka shkaktuar buxhetit të komunës një dëm prej 36,450.29 euro.
Nga ana tjetër, Bekim Baftjaraj akuzohet se si përgjegjës i punimeve ka kryer punë ndërtimore në kundërshtim me standardet profesionale dhe kushtet e kontratës, duke shkaktuar rrezik serioz për jetën e njerëzve dhe dëme materiale. Prokuroria argumenton se punimet nuk janë kryer sipas specifikimeve të kontratës, përfshirë disa pozicione kyçe si 2.2, 2.3, 5.1, 5.13 dhe 5.14.
Pavarësisht këtyre pretendimeve dhe akuzave të rënda, Komuna e Prishtinës duket se ka vendosur të mos shqetësohet për të kaluarën e “NBT-ING”. Në vend që të kërkonte përgjegjësi dhe garanci për cilësinë e punimeve, ajo ka vazhduar bashkëpunimin me këtë kompani, duke i dhënë një projekt të ri që ka të bëjë drejtpërdrejtë me sigurinë e nxënësve.
Demokracia.com ka raportuar disa herë lidhur më këtë rast. /Demokracia.com/