Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik, raporton Gazeta Sinjali.
Një i tillë ka ndodhur edhe dje pas orës 18:00 në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj, ku për pasojë një këmbësore rreth të 30-ve ka pësuar lëndime.
Kjo e fundit është dërguar për tretman mjekësor në Emergjencën e Ferizajt.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Ferizajt, e cila ka njoftuar se deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur nga mospërshtatja e shpejtësisë së rrugës.
“Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur nga mos përshtatja e shpejtësisë kushteve në rrugë. Në këtë aksident lëndime merr një person i cili për tretman mjekësor dërgohet në emergjencën e Ferizajt”.
“Rasti i referohet gjykatës”, thuhet në njoftimin e Policisë për Gazetën Sinjali.
