Kosovari Rrustem Llapi dyshohet se e vrau reperin serb në Dyseldorf, zbardhet motivi i ngjarjes?

Kosovari Rrustem Llapi, 52-vjeç, dyshohet se e vrau reperin serb Aleksandar M. të dielën në mbrëmje në Dyseldorf të Gjermanisë.
Siç raportojnë mediat gjermane, viktima është reperi dhe sipërmarrësi Aleksandar M., shtetas gjerman me origjinë serbe.

Sipas hetimeve, rreth orës 02:45 të së dielës në lokal ka pasur një debat mes viktimës 38-vjeçare dhe kosovarit. Pasi debati ka lëvizur jashtë lokalit, ka pasur të shtëna me armë zjarri.
52-vjeçari Rrustem Llapi thuhet se më pas është kthyer në restorant dhe është arrestuar pa rezistencë nga policia. Ai deri më tani ka heshtur për akuzat.
Sipas një dëshmitari, mosmarrëveshja mund të ketë qenë për borxhet e lojërave të fatit, thanë hetuesit, transmeton Paparaci artikullin e Bild.

Pavarësisht masave të ndërmarra nga ekipet emergjente, 38-vjeçari nuk arriti t’u shpëtonte plagëve të marra dhe vdiq në vendngjarje. Nga autopsia rezultoi se ai u godit me disa plumba.
Ndërkohë, skena e repit është duke vajtuar për humbjen e shokut të tyre Aleksandar M, shkruan Bild.
Reperi i njohur me nofkën “Lock”, Denis S. tha për Bild: “E telefonova Aleksin atë natë pak pas orës tre, por dikush tjetër iu përgjigj celularit dhe i bërtiti: ‘Ai është qëlluar me armë zjarri.’ Nuk mund ta besoja dhe isha thellësisht i tronditur.”