Fushë Kosova i paguan punimet pa u kryer, komuna e Burim Berishës me mijëra euro për punë të pakryera e të dobëta

Zyra Kombëtare e Auditimit ka audituar pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Fushë-Kosovës për vitin 2024 dhe ka evidentuar një sërë shkeljesh në menaxhimin e projekteve kapitale. Njëra ndër to është edhe pagesa për punë të papërfunduara, që përfshinë projekte me qindra mijëra euro, të cilat nuk janë realizuar sipas kontratës, shkruan Demokracia.com.

Komuna e Fushë Kosovës, e udhëhequr nga kryetari i LDK-së, Burim Berisha, ka bërë pagesa të mëdha për punë që nuk janë kryer ose janë kryer në kundërshtim me kontratat. Kjo është konstatuar në raportin më të fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare të vitit 2024, ku janë evidentuar shkelje serioze në disa projekte kapitale, përfshirë ndërtimin e palestrave, rregullimin e parqeve dhe investime në objektin komunal.

Sipas auditorit, komuna ka bërë pagesa në vlera të mëdha për punime që ose nuk janë përfunduar fare ose janë realizuar në mënyrë të mangët, përkundër detyrimeve kontraktuale dhe kritereve teknike të parashikuara në specifikimet e kontratës.

Në projektin për ndërtimin e palestrës sportive në fshatin Sllatinë e Vogël, me një vlerë kontraktuale prej mbi 2.1 milionë eurosh, janë paguar rreth 361 mijë euro për punë të papërfunduara. Këtu përfshihet furnizimi dhe montimi i fasadës lineare dhe asaj të ventiluar, të cilat nuk ishin instaluar në kohën kur ishte bërë pagesa.

Në projektin tjetër për rregullimin e parkut te pishat, në të njëjtin fshat, ishte planifikuar ndërtimi i një staze të ndarë për çiklizëm, ecje dhe vrapim, por auditori ka gjetur se ndarja sipas përshkrimit teknik nuk ishte bërë. Edhe pse një shumë simbolike prej 14 mijë eurosh nuk ishte paguar si penalizim, komuna nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim tjetër për të kërkuar përfundimin e punimeve sipas kontratës.

Në ndërtimin e një parku tjetër në Sllatinë të Vogël, janë identifikuar një sërë shkeljesh. Gjysma e dyshemesë e parashikuar me pllaka gome nuk ishte ndërtuar, megjithëse pagesa ishte bërë për të gjithë sipërfaqen. Ulëset dhe tavolinat nga betoni nuk ishin montuar fare, ndërsa shtyllat e ndriçimit ishin më të shkurtra se sa parashikimi kontraktual. Për më tepër, asnjë prej trupave ndriçues nuk ishte me dy krahë, siç ishte kërkuar.

Në ndërtimin e katit të dytë të objektit të Komunës, është instaluar pajisje të ndryshme nga ato që ishin të parapara me kontratë. Në vend të pompave termike “Viesmann Vitacol 200-S”, janë instaluar pompë modeli 100-S, një version më i lirë dhe më pak efikas. Megjithatë, pagesa është bërë sipas çmimit të modelit më të shtrenjtë.

Një tjetër shkelje serioze është gjetur te projekti për rregullimin e sheshit në lagjen Dardania. Ndërsa kontrata kërkonte konstruksione metalike që mund të montoheshin dhe çmontoheshin, në praktikë është vendosur një zgjidhje e përhershme. Në mungesë të të dhënave të sakta në ditarët ndërtimorë  që shpesh nuk janë as të nënshkruar nga menaxherët e kontratave, auditori nuk ka mundur të verifikojë nëse sasia e punimeve të raportuara përputhet me realitetin.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, të gjitha këto parregullsi vijnë si pasojë e mungesës së kontrolleve të brendshme dhe një mbikëqyrjeje të dobët nga menaxherët e kontratave. “Aprovimi për pagesë i punëve të pa realizuara ndikon në dëmtimin e buxhetit dhe rrezikon mos arritjen e cilësisë dhe objektivave të projektit”, thuhet në raport.

Auditori ka rekomanduar që kryetari Burim Berisha të forcojë kontrollin mbi menaxhimin e kontratave dhe të sigurojë që menaxherët të mos aprovojnë pagesa pa përfundim të punimeve. Gjithashtu, është kërkuar që të gjitha punimet e paguara e që nuk janë përfunduar, të realizohen në përputhje me kontratën.

Përkundër këtyre shkeljeve të rënda, sipas ZKA komuna nuk ka dhënë asnjë përgjigje zyrtare për audituesit. /Demokracia.com/