OSHP hedh poshtë ankesën për tenderin e mbeturinave të Prishtinës, e refuzon për mungesë kompetence

Paneli i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e paraqitur nga Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” SH.A, e cila kundërshtonte njoftimin për kontratë të Komunës së Prishtinës për menaxhimin e mbeturinave, me një vlerë të parashikuar prej 16.5 milionë euro, shkruan Demokracia.com.

Në fakt, Paneli i Organit Shqyrtues të Porkurimit ka vendosur ta mbyllë ankesën e ndërmarrjes publike “KRM Pastrimi” SH.A kundër Komunës së Prishtinës, pa hyrë fare në thelbin e çështjes. Këtë e ka bërë me arsyetimin se nuk ka juridiksion për të shqyrtuar raste që burojnë nga aktet normative komunale. Pra, Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka vendosur të mos i trajtojë asnjë nga pretendimet konkrete të paraqitura nga operatori ekonomik.

Në njërën nga pesë pikat ankimore, “Pastrimi” pretendonte se komuna kishte shkelur Rregulloren Komunale në fuqi, e cila sipas kompanisë e përcakton këtë operator si ofrues ekskluziv të shërbimeve të grumbullimit të mbeturinave në territorin e kryeqytetit. Në ankesën e saj, “Pastrimi” kishte kërkuar nga OSHP-ja anulimin e tërësishëm të aktivitetit të prokurimit, duke e konsideruar si të kundërligjshëm.

Pas dy seancave dëgjimore dhe shqyrtimit të dokumentacionit, Paneli Shqyrtues konstatoi se çështja nuk është në juridiksionin e OSHP-së për ta shqyrtuar. Sipas vendimit, paneli thekson se OSHP ka kompetencë të trajtojë vetëm pretendimet që lidhen me procedurat e prokurimit publik, në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik dhe jo me aktet normative të brendshme të komunave, siç është Rregullorja Komunale në fjalë.

“Shqyrtimi i kësaj ankese nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit është jashtë fushës së kompetencave dhe autorizimeve ligjore… Çdo pretendim që tejkalon këto kufizime, përfshirë edhe shqyrtimin e çështjeve jashtë fushës së prokurimit publik ose jashtë kompetencave të përcaktuara ligjore, konsiderohet jashtë juridiksionit të këtij organi”, thuhet në vendim.

Paneli ka theksuar gjithashtu se Kompania “Pastrimi” nuk ka arritur të dëshmojë interes juridiko-material, pasi nuk ka kontestuar asnjë element të dosjes së tenderit apo kushteve teknike të kontratës, por vetëm ka kërkuar anulimin e tërë procedurës bazuar në një rregullore komunale.

Me këtë, OSHP ka vendosur që ankesa të shpallet jashtë juridiksionit për shqyrtim, ndërsa “Pastrimi” është udhëzuar të ndjekë rrugë të tjera për realizimin e të drejtave të saj, siç është Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që ka mandatin për të shqyrtuar ligjshmërinë e akteve të komunave.

Megjithatë, ndryshe nga vendimet e zakonshme të OSHP-së, ky vendim nuk përmban asnjë deklaratë të qartë nëse Komuna e Prishtinës ka të drejtë të vazhdojë tutje me aktivitetin e prokurimit, duke lënë kështu hapur një dilemë procedurale. Në shumicën e rasteve të mëparshme, kur një ankesë hidhej poshtë, OSHP zakonisht konstatonte se vendimi i autoritetit kontraktues mbetet në fuqi dhe procedura mund të vazhdojë. Kësaj radhe, paneli u kufizua vetëm në deklarimin e mungesës së juridiksionit, pa u shprehur qartë për vazhdimin e procesit të prokurimit.

Paneli i OSHP-së shqyrton vetëm një pretendim, anashkalon të tjerët edhe pse lidhen me Ligjin për Prokurimin Publik

Fillimisht, pas pranimit të ankesës nga ndërmarrja publike “KRM Pastrimi” SH.A, Zyra e Pranimit e OSHP-së e kishte konsideruar ankesën si të ligjshme dhe kishte autorizuar një ekspert shqyrtues për trajtimin e saj. Mirëpo, Paneli Shqyrtues ka vepruar ndryshe.

Në vendimin përfundimtar, Paneli i OSHP-së ka konstatuar se “pas dëgjimit të të gjitha palëve në procedurë, kjo çështje tejkalon kompetencat shqyrtuese të OSHP-së”, duke i shqiptuar një vërejtje Zyrës së Pranimit që e kishte pranuar fillimisht ankesën. Sipas Panelit, kjo zyrë “pa ndonjë analizë të mirëfilltë ka futur në trajtim fillestar ankesën, në kundërshtim me nenin 4, 108/A, 109, 111 dhe 113 të LPP-së si dhe Rregullores nr. 01/2020 të Punës së OSHP-së”.

Megjithatë, Demokracia.com ka vërejtur se eksperti shqyrtues përmes një raporti të detajuar kishte propozuar që ankesa e KRM “Pastrimi” të vlerësohej si pjesërisht e bazuar, duke rekomanduar anulimin e njoftimit për kontratë dhe kthimin e lëndës te Autoriteti Kontraktues për rishqyrtim, veçanërisht në lidhje me shkeljen e nenit 9.4 të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP).

Përkundër këtij rekomandimi, Paneli i OSHP-së ka marrë në shqyrtim vetëm një nga pretendimet e paraqitura në ankesë, pikërisht atë për të cilën vetë eksperti kishte konstatuar se bie jashtë juridiksionit të OSHP-së. Në të njëjtën kohë, Paneli ka anashkaluar të gjitha pretendimet e tjera, përfshirë ato që lidhen me mospërputhjen ndërmjet datave të emërimit të komisionit punues dhe datës së publikimit të aktivitetit të prokurimit, mungesën e vlerësimit të nevojave reale dhe shmangien e mundësisë për kontratë “në shtëpi” me ndërmarrjen publike ekzistuese.

Me këtë veprim, OSHP ka refuzuar të trajtojë një numër shkeljesh të pretenduara që bien qartazi nën juridiksionin e saj dhe që lidhen drejtpërdrejtë me dispozitat e LPP-së, duke ngritur shqetësime serioze për mënyrën sesi ky institucion i trajton ankesat e operatorëve ekonomikë, veçanërisht kur bëhet fjalë për kontrata me vlera të mëdha dhe ndikim të drejtpërdrejtë në fondet publike.

Pretendimi Ankimor 1

KRM “Pastrimi” SH.A ka kundërshtuar vendimin e komunës për refuzimin e kërkesës për rishqyrtim, të datës 01.04.2025, duke e konsideruar si arsyetim formal dhe pa mbështetje ligjore. Sipas ankesës, AK ka deklaruar se aktiviteti i prokurimit është monitoruar nga KRPP, çka sipas ankuesit është e pavërtetë. Në mbështetje të këtij pretendimi, ankuesi ka dorëzuar komunikim zyrtar nga KRPP që mohon përfshirjen në këtë proces. Ankuesi vlerëson se vendimi i AK-së është ndërtuar mbi supozime dhe jo mbi fakte konkrete, duke rezultuar në një vlerësim të gabuar, si në aspektin faktik, ashtu edhe në atë juridik.

Përgjigje ekspertes 1

Eksperti shqyrtues vlerëson se pretendimi i KRM “Pastrimi” SH.A, megjithëse nuk ka qenë pjesë e kërkesës fillestare për rishqyrtim në përputhje me nenin 64.2 të Rregullores Nr. 002/2024 për Prokurimin Publik (RrPP) dhe nenin 13, paragrafi 9 të Rregullores së Punës së OSHP-së, është i arsyeshëm për shqyrtim, sepse ka lindur si reagim ndaj përmbajtjes së vendimit të AK-së të datës 01.04.2025, si përgjigje ndaj kërkesës për rishqyrtim dhe për këtë arsye është konsideruar i justifikuar për trajtim në kuadër të shqyrtimit të përgjithshëm të procedurës. Në vendimin për refuzimin e kërkesës për rishqyrtim, AK ka deklaruar se aktiviteti i prokurimit është “duke u monitoruar nga KRPP”. Ankuesi ka dorëzuar komunikim zyrtar nga Njësia e Monitorimit e KRPP-së, të datës 29.03.2025, në të cilin konfirmohet se aktiviteti në fjalë nuk është dhe nuk ka qenë objekt monitorimi nga ky institucion. Bazuar në këtë dokumentacion, rezulton se deklarata e përfshirë në vendimin e AK-së nuk përputhet me të dhënat zyrtare të disponueshme. Sipas nenit 108/A të LPP-së, autoritetet kontraktuese kanë për detyrim që vendimet e tyre t’i bazojnë në fakte të sakta dhe të arsyetuara. Duke marrë parasysh rëndësinë që ka saktësia e informacionit në dokumentet zyrtare të një procedure prokurimi, eksperti shqyrtues vlerëson se deklarata e përfshirë në vendimin e AK-së nënvizon nevojën për kujdes të shtuar gjatë formulimit të vendimeve dhe referencave institucionale. Përgjegjësia për përmbajtjen e saktë i takon autoritetit përkatës dhe zyrtarëve të tij, në përputhje me kërkesat ligjore për bazimin e vendimeve në të dhëna të sakta dhe të verifikuara. Ndërkohë, edhe pse OSHP-ja nuk ka mandat për të ndërhyrë në marrëdhëniet ndërinstitucionale, në raste kur institucione si KRPP janë në dijeni për referenca të pasakta që lidhen me rolin apo veprimet e tyre, një sqarim zyrtar dhe në kohë nga ana e tyre do të ishte i dobishëm për rritjen e transparencës dhe për shmangien e paqartësive në dokumentacionin zyrtar të prokurimit.

Pretendimi Ankimor 2

KRM “Pastrimi” SH.A ka kontestuar ligjshmërinë e shpalljes së aktivitetit të prokurimit nga Komuna e Prishtinës, duke u mbështetur në rregulloret komunale në fuqi (Nr. 01-030/01- 227581/23 dhe ndryshimet përkatëse të vitit 2024), të cilat e përcaktojnë atë si ofruesin ekskluziv të shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në territorin komunal. Sipas ankuesit, shpallja e tenderit më 18.11.2024 bie ndesh me këto akte normative, duke përbërë shkelje të parimit të ligjshmërisë dhe duke krijuar dyfishim të panevojshëm të shërbimit. Ankuesi ka bashkangjitur në ankesë kopje të rregulloreve komunale përkatëse, të cilat janë ende në fuqi dhe nuk janë shfuqizuar. Në këtë bazë, ai kërkon nga Paneli Shqyrtues i OSHP-së që të konstatojë paligjshmërinë e aktivitetit dhe të urdhërojë anulimin e tij.

Përgjigje ekspertes 2

Lidhur me pretendimin e paraqitur nga KRM “Pastrimi” SH.A, që ka të bëjë me kontestimin e ligjshmërisë së aktivitetit të prokurimit të iniciuar nga Komuna e Prishtinës më datë 18.11.2024, eksperti shqyrtues ka analizuar dokumentacionin e ankesës dhe dokumentet përkatëse të prokurimit. Ankuesi pretendon se Komuna e Prishtinës ka vepruar në kundërshtim me Rregulloren Komunale Nr. 01-030/01-227581/23 të datës 01.12.2023 dhe me ndryshimin e saj përmes Rregullores Nr. 01-030/01-161704/2024 të datës 06.12.2024, të cilat i japin KRM “Pastrimi” SH.A të drejtë ekskluzive për ofrimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në territorin komunal. Në mbështetje të këtyre rregulloreve, ankuesi kërkon konstatimin e paligjshmërisë së aktivitetit të prokurimit dhe anulimin e tij.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit, eksperti shqyrtues vlerëson se rregulloret e lartpërmendura janë të miratuara nga Kuvendi Komunal dhe janë në fuqi. Në përmbajtjen e tyre parashihet se KRM “Pastrimi” SH.A ka të drejtë ekskluzive për ofrimin e shërbimeve të grumbullimit të mbeturinave, përfshirë faturimin dhe inkasimin e tarifës përkatëse. Në përgjigjen ndaj kërkesës për rishqyrtim, AK nuk ka kontestuar këtë fakt dhe ka pranuar se Komuna e Prishtinës është aksionare shumicë në këtë ndërmarrje publike. Megjithatë, eksperti shqyrtues vlerëson se interpretimi përfundimtar i vlefshmërisë dhe zbatueshmërisë së një akti normativ komunal, përfshirë përputhshmërinë e veprimeve të AKsë me një rregullore të tillë, i takon gjykatave kompetente dhe tejkalon fushëveprimin e shqyrtimit nga OSHP-ja. Në kuadër të kompetencës së tij, eksperti shqyrton nëse AK ka respektuar dispozitat e LPP-së. Në këtë drejtim, eksperti thekson se në dokumentacionin e publikuar në platformën eprokurimi nuk ekziston ndonjë vlerësim i dokumentuar nga ana e AK-së lidhur me nenin 9.4 të LPP-së, i cili kërkon që, përpara se të iniciohet një aktivitet i prokurimit, të shqyrtohet mundësia që shërbimi të ofrohet nga ndonjë autoritet publik ekzistues. Mungesa e një vlerësimi të dokumentuar në kuptim të nenit 9.4 të LPP-së përbën një mangësi procedurale, veçanërisht në rrethanat kur ekziston një operator publik që është i përcaktuar me Rregullore të Kuvendit Komunal si ofrues i shërbimit. Në këto kushte, veprimet e Autoritetit Kontraktues nuk mund të vlerësohen plotësisht si të përputhshme me kërkesat e ligjshmërisë dhe menaxhimit të drejtë të fondeve publike. Në përfundim, eksperti shqyrtues konstaton se, ndonëse nuk mund të japë një vlerësim përfundimtar mbi vlefshmërinë e rregullores komunale, ekzistenca e saj dhe mungesa e trajtimit të saj në kuptim të nenit 9.4 të LPP-së krijojnë pasiguri rreth ligjshmërisë së procedurës së iniciuar me kërkesat e Ligjit për Prokurimin Publik.

Pretendimi Ankimor 3

KRM “Pastrimi” SH.A pretendon se gjatë përgatitjes dhe shpalljes së aktivitetit të prokurimit janë kryer shkelje të rënda procedurale nga ana e AK-së, të cilat e bëjnë të pavlefshëm procesin tenderues. Sipas ankuesit, kërkesa për publikimin e aktivitetit është bërë më 18.11.2024, ndërkohë që vendimi për emërimin e grupit punues për hartimin e specifikimeve teknike është marrë më 20.11.2024. Kjo paraqet, sipas tij, një mospërputhje që tregon se procedura është nisur përpara se të ekzistonte një vendim formal për përgatitjen e dokumentacionit, në kundërshtim me nenet 28 dhe 29 të LPP-së. Ankuesi thekson gjithashtu se deklaratat nën betim të anëtarëve të komisionit janë të datës 31.10.2024 dhe 01.11.2024 – pra para vendimit zyrtar për emërimin e tyre – duke sugjeruar se komisioni është aktivizuar në mënyrë joformale dhe pa bazë ligjore. Sipas tij, kjo tregon se procedura është përgatitur në mënyrë të paracaktuar, pa respektuar hapat e nevojshëm ligjorë dhe duke cenuar parimet e transparencës, ligjshmërisë dhe barazisë në trajtim. Në përfundim, ankuesi kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit, duke argumentuar se ai është zhvilluar në kundërshtim me dispozitat themelore të LPP-së.

Përgjigje ekspertes 3

Eksperti shqyrtues vlerëson se pretendimi i parashtruar nga KRM “Pastrimi” SH.A, që lidhet me mospërputhje procedurale dhe kronologjike në zhvillimin e aktivitetit të prokurimit, nuk është i pranueshëm për shqyrtim, pasi nuk është përfshirë më parë në kërkesën për rishqyrtim të dorëzuar pranë Autoritetit Kontraktues. Sipas nenit 64.2 të RrPP-së dhe nenit 13, paragrafi 9 të Rregullores së Punës së OSHP-së Nr. 01/2020, përcaktohet se: “Ankesa duhet të jetë e qartë, e shkurtër dhe me pretendimet e njëjta me ato të paraqitura për autoritetin kontraktues.” Në përputhje me këtë dispozitë, ekspertit shqyrtues nuk i lejohet të trajtojë pretendime të reja që nuk janë ngritur në kërkesën për rishqyrtim të datës 26.03.2025. Meqenëse pretendimi për mospërputhjen ndërmjet datave të emërimit të komisionit punues dhe publikimit të njoftimit për kontratë nuk është përmendur në atë kërkesë, ai konsiderohet i papranueshëm për shqyrtim nga OSHP-ja.

Pretendimi Ankimor 4

Operatori Ekonomik “KRM Pastrimi” SH.A konteston ligjshmërinë dhe arsyeshmërinë e aktivitetit të prokurimit të iniciuar nga Komuna e Prishtinës për ofrimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave, duke pretenduar se i njëjti është zhvilluar në kundërshtim me dispozitat përkatëse të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP) dhe me rregulloret komunale në fuqi. Së pari, ankuesi prtendon se AK ka planifikuar një kontratë me vlerë totale rreth 21.4 milion euro për periudhën 3-vjeçare, bazuar në çmimin për njësi të shpallur në tender (80 €/ton). Ndërkohë, sipas rregullores komunale të miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, shërbimi aktual ofrohet me çmim 6.20 euro për njësi banimi, që për 72,000 klientë përkthehet në 5.3 milion euro në vit ose rreth 16 milion euro për 3 vite. Diferenca prej mbi 5 milion euro, sipas ankuesit, nuk është e justifikuar, dhe përbën shkelje të parimit të ekonomicitetit dhe efikasitetit në përdorimin e fondeve publike, të parashikuar në nenin 6 të LPP-së. Së dyti, ankuesi thekson se Autoriteti Kontraktues nuk ka shqyrtuar mundësinë që shërbimi të ofrohet nga një autoritet tjetër publik, konkretisht nga vetë ndërmarrja publike “KRM Pastrimi” SH.A, e cila është nën pronësi të Komunës së Prishtinës dhe që aktualisht ofron këtë shërbim. Ankuesi thekson se kjo shmangie nga shqyrtimi i mundësisë për kontraktim publik përbën shkelje të drejtpërdrejtë të nenit 9.4 të LPP-së, dhe njëkohësisht cenon parimin e mosdiskriminimit dhe trajtimit të barabartë, të garantuar me nenin 7 të LPP-së. Së treti, në lidhje me bazën financiare të aktivitetit, ankuesi pretendon se Autoriteti Kontraktues nuk ka përgatitur ose nuk ka përfshirë në dokumentacion Deklaratën për Nevojat dhe Disponueshmërinë e Fondeve (DNPDF), siç kërkohet në nenet 9.5 dhe 9.6 të LPP-së. Në këtë drejtim, ankuesi thekson se nuk ekziston ndonjë dëshmi se është bërë vlerësimi i nevojave reale (neni 9.3) dhe as ndonjë verifikim për disponueshmërinë reale të fondeve, përkundër faktit që në buxhetin vjetor të Komunës për vitin 2025 janë planifikuar vetëm 5.5 milion euro për këtë kategori. Kjo situatë, sipas ankuesit, e vë në dyshim ligjshmërinë buxhetore dhe përputhshmërinë financiare të aktivitetit të prokurimit.

Përgjigje ekspertes 4

Pas analizës së dokumentacionit përkatës dhe pretendimeve të parashtruara nga operatori ekonomik “KRM Pastrimi” SH.A, eksperti shqyrtues vlerëson si më poshtë: 1. Lidhur me pretendimin për kosto të pajustifikuar dhe shkeljen e nenit 6 të LPP-së: Ankuesi ka pretenduar se vlera totale e kontratës së planifikuar nga Autoriteti Kontraktues për periudhën 3-vjeçare arrin rreth 21.4 milion euro, duke u bazuar në çmimin për njësi prej 80 €/ton të përcaktuar në tender, si dhe në faktin se bëhet fjalë për një kontratë kornizë, për të cilën – sipas praktikës – mund të zbatohet një devijim deri në +30%. Sipas ankuesit, kjo vlerë maksimale potenciale paraqet një rritje të ndjeshme në krahasim me koston aktuale të shërbimit dhe nuk është e justifikuar në dokumentacionin e tenderit. Ndërkohë, sipas rregullores komunale në fuqi, shërbimi aktual ofrohet me çmim 6.20 euro për njësi banimi, për rreth 72,000 njësi, që përkthehet në rreth 16 milion euro për të njëjtën periudhë. Diferenca prej mbi 5 milion euro, sipas ankuesit, është e pajustifikuar dhe përbën shkelje të nenit 6 të LPP-së, i cili kërkon përdorimin racional dhe ekonomik të fondeve publike. Nga shqyrtimi i dokumentacionit rezulton se Autoriteti Kontraktues ka shpallur aktivitetin e prokurimit në gjashtë LOT-e, me vlerë të përgjithshme të njoftuar prej 16,500,000.00 €. Në dokumentet e tenderit nuk është specifikuar ndonjë përqindje devijimi të lejuar, në përputhje me nenin 54.10 të Rregullores për Prokurimin Publik, i cili përcakton se: “Nëse Autoriteti Kontraktues nuk deklaron përqindjen e mospërputhjes në dosje të tenderit, atëherë kontrata përfundon me vlerën ose sasinë e kontratës si një prag apo një tavan të vendosur.” Si i tillë, pretendimi për një vlerë të përgjithshme prej 21.4 milion euro mbetet i pambështetur në dokumentacionin zyrtar të tenderit dhe nuk mund të vlerësohet si shkelje e drejtpërdrejtë e dispozitave ligjore. Gjithashtu, nuk është paraqitur ndonjë analizë krahasuese që të lidhë në mënyrë të argumentuar metodologjinë e çmimit për njësi banimi me çmimin për ton të përdorur në këtë procedurë.

  1. Lidhur me shmangien e autoritetit publik ekzistues (neni 9.4 dhe neni 7 i LPP-së): Ankuesi pretendon se Autoriteti Kontraktues ka anashkaluar ndërmarrjen publike “KRM Pastrimi” SH.A – e cila është në pronësi të Komunës së Prishtinës dhe që aktualisht ofron shërbimin – duke mos shqyrtuar mundësinë për kontratë “në shtëpi”. Kjo, sipas tij, përbën shkelje të nenit 9.4 dhe cenim të parimit të trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit (neni 7 i LPP-së). Eksperti shqyrtues konstaton se në platformën e prokurimit nuk ekziston ndonjë dokument që dëshmon vlerësim paraprak të kësaj alternative nga ana e AK-së. 3. Lidhur me Deklaratën për Nevojat dhe Disponueshmërinë e Fondeve (DNPDF): Ankuesi pretendon se Autoriteti Kontraktues ka iniciuar aktivitetin e prokurimit pa përgatitur ose përfshirë në dokumentacion Deklaratën për Nevojat dhe Disponueshmërinë e Fondeve (DNPDF), siç kërkohet në nenet 9.5 dhe 9.6 të LPP-së, dhe pa kryer vlerësim të nevojave reale sipas nenit 9.3.

Eksperti shqyrtues ka verifikuar se në dokumentet e publikuara në platformën zyrtare të prokurimit figuron DNPDF-ja për aktivitetin përkatës, me vlerë të përgjithshme 16,500,000 € për periudhën 2025–2027. Kjo dëshmon se Autoriteti Kontraktues ka përmbushur kërkesat formale që dalin nga nenet 9.5 dhe 9.6 të LPP-së për sa i përket konfirmimit të disponueshmërisë së fondeve si kusht për procedimin e mëtejmë të tenderit. Megjithatë, në dokumentacion nuk është reflektuar ndonjë analizë e qartë mbi përputhshmërinë buxhetore me planifikimet komunale ekzistuese, dhe nuk figuron një vlerësim i detajuar i nevojave reale që justifikojnë vlerën dhe kohëzgjatjen e kontratës, në përputhje me nenin 9.3 të LPP-së. Po ashtu, mungon trajtimi i mundësisë së ofrimit të shërbimit nga një autoritet publik ekzistues, siç kërkohet me nenin 9.4 të LPP-së.

Pretendimi Ankimor 5

KRM “Pastrimi” SH.A pretendon se Komuna e Prishtinës, në cilësinë e Autoritetit Kontraktues, ka shkelur dispozitat e nenit 9, paragrafi 4 të LPP-së, duke mos shqyrtuar mundësinë e aplikimit të një kontrate “në shtëpi” përpara shpalljes së aktivitetit të prokurimit për shërbimin e grumbullimit të mbeturinave. Ankuesi thekson se Komuna është aksionare shumicë e ndërmarrjes publike “KRM Pastrimi” SH.A, e cila aktualisht ofron këtë shërbim dhe është përcaktuar si ofrues ekskluziv në rregulloret komunale në fuqi. Në këtë kontekst, Autoriteti Kontraktues ka qenë i obliguar të shqyrtonte nëse nevojat mund të përmbusheshin përmes një autoriteti tjetër publik – konkretisht përmes ndërmarrjes në pronësinë e saj. Sipas ankuesit, në vend të kësaj, Komuna ka iniciuar një procedurë të hapur tenderimi për përfshirjen e operatorëve privatë, pa ndërmarrë vlerësimet paraprake që kërkon neni 9.4 i LPP- së dhe pa dokumentuar asnjë analizë për kapacitetet ekzistuese të ndërmarrjes publike. Në dosjen e tenderit mungon çdo referencë që tregon se është shqyrtuar ekzistenca dhe kapaciteti i ndërmarrjes “KRM Pastrimi” SH.A si ofrues aktual i shërbimit, gjë që, sipas ankuesit, përbën shmangie të qëllimshme të fakteve materiale. Në mbështetje të pretendimit të tij, ankuesi i referohet edhe Interpretimit Nr. 1 të KRPP-së të datës 22.11.2022, sipas të cilit: “Nëse autoriteti kontraktues është autoritet publik, autoriteti i tillë publik duhet të marrë masa të arsyeshme për t’u siguruar se lëndët që i përmbushin këto nevoja nuk janë në dispozicion nga ndonjë autoritet tjetër publik.” Sipas ankuesit mbështetur në interpretuimin e KRPP, nëse ekziston një autoritet publik që ofron shërbimin përkatës, nuk ka nevojë të zhvillohet procedurë tenderimi, pasi marrëdhënia kontraktuale mund të vendoset përmes modelit të “kontratës në shtëpi”. Në përfundim, ankuesi konsideron se veprimet e AK-së janë në kundërshtim me nenin 9.4 të LPP-së dhe me frymën e menaxhimit të qëndrueshëm dhe ekonomik të fondeve publike. Ai kërkon që aktiviteti i prokurimit të shpallet i paligjshëm dhe që OSHP-ja të urdhërojë shqyrtimin e mundësisë për aplikimin e modelit të kontratës “në shtëpi”, në përputhje me legjislacionin dhe interpretimin përkatës të KRPP-së.

Përgjigje ekspertes 5

Eksperti shqyrtues sqaron se vlerësimi i nevojës për ushtrimin e një procedure të prokurimit është përgjegjësi e Autoritetit Kontraktues. Megjithatë, kjo kompetencë duhet të ushtrohet në përputhje me dispozitat përkatëse të LPP-së, përfshirë nenin 9.4, i cili parashikon se: “Para se të iniciojë një aktivitet prokurimi, autoriteti kontraktues duhet të vlerësojë nëse një autoritet publik tjetër është në gjendje të përmbushë atë nevojë dhe, nëse po, duhet të konsiderojë mundësinë e një marrëveshjeje ndërmjet autoriteteve publike.” Në dokumentacionin e publikuar në platformën zyrtare të prokurimit, përveç deklaratës në pikën II.1.6 të DNPDF-së ku thuhet: “Për shkak të problemeve serioze është krijuar gjendje e rëndë me menaxhim të mbeturinave në qytet dhe si pasojë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme me vendim të datës 14.02.2024 me nr. 14-352/01-24484/24, andaj shpallja e kësaj procedure të prokurimit është e domosdoshme”, nuk gjendet asnjë dokument tjetër që të dëshmojë se është shqyrtuar alternativa për kontratë “në shtëpi” me ndërmarrjen publike “KRM Pastrimi” SH.A. Po ashtu, nuk është evidentuar ndonjë vlerësim apo analizë e dokumentuar që të dëshmojë se janë marrë në konsideratë kapacitetet ekzistuese të kësaj ndërmarrjeje në kuadër të procesit të vendimmarrjes. Ky aspekt do të kishte qenë veçanërisht relevant, duke pasur parasysh se Komuna e Prishtinës është aksionare shumicë në këtë ndërmarrje publike. Autoriteti Kontraktues ka për detyrë të sigurohet se procedura e iniciuar është në përputhje me nenin 9.4 të LPP-së dhe me udhëzimet e dhëna në Interpretimin Nr. 1 të KRPP-së të datës 22.11.2022, i cili thekson se autoritetet publike duhet të ndërmarrin masa të arsyeshme për tu siguruar se shërbimi përkatës nuk është i disponueshëm nga ndonjë autoritet tjetër publik përpara se të iniciojnë një procedurë prokurimi. Në mungesë të një arsyetimi të tillë në dokumentacionin zyrtar, dhe duke pasur parasysh praktikën e mëparshme të OSHP-së në trajtimin e rasteve të ngjashme që lidhen me detyrimet e Autoritetit Kontraktues për të shqyrtuar alternativën publike sipas nenit 9.4 të LPP-së – siç janë vendimi nr. 163/18 dhe vendimi nr. 373/20 – eksperti shqyrtues vlerëson se pretendimi i paraqitur nga ankuesi është i bazuar.

Auditori: Komuna e Prishtinës angazhoi jashtëligjshëm kompani private me negocim, shpërfilli kontratën ekzistuese me “Pastrimin” dhe ligjin për prokurim publik

Ndërkohë që Paneli i OSHP-së nuk ka marrë asnjë vendim konkret as për ta lejuar, e as për ta ndaluar Komunën e Prishtinës që të vazhdojë me procedurat e tenderit për zgjedhjen e operatorëve të rinj për mbeturinat, duke ia lënë këtë çështje gjykatave kompetente, tashmë dy institucione kanë konstatuar qartë se Komuna ka shkelur ligjin.

Si rezultat, përmes këtij tenderi jen kontraktuar një kompani private, duke u larguar “Pastrimi” nga tregu i menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet, pa një vendim përfundimtar që të sqarojë ligjshmërinë e këtij veprimi.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin për vitin 2024, ku ka gjetur shkelje serioze në mënyrën se si Komuna e Prishtinës ka zhvilluar procedurat e prokurimit, konkretisht në përdorimin e negociatave pa publikim të njoftimit të kontratës, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik (LPP).

Sipas auditimit, Komuna ka përdorur këtë procedurë në tri raste, edhe pse nuk janë plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e saj. Një rast konkret është kontrata në vlerë prej 1 milion euro për “Ofrimin e makinerisë shtesë për shërbimin e grumbullimit, transportimit dhe deponimit të mbeturinave komunale”. Kjo kontratë është lidhur me një operator privat për një periudhë njëvjeçare, pavarësisht se Komuna kishte ende një kontratë aktive me operatorin publik KRM “Pastrimi”, ku edhe vetë Komuna është aksionare kryesore.

Komuna justifikoi këtë procedurë me vendimin për shpalljen e gjendjes emergjente më 14 shkurt 2024, bazuar në një raport të grupit punues që evidentonte probleme në menaxhimin e mbeturinave. Por auditimi nxjerr në pah se kjo emergjencë nuk ishte aspak e paparashikueshme, pasi Komuna kishte prej kohësh qenë në dijeni për vështirësitë me KRM “Pastrimi”, përmes ankesave të qytetarëve dhe moszbatimit të detyrimeve kontraktuale nga ana e këtij operatori.

Gjithashtu, Zyra e Auditimit thekson se Komuna nuk ka bërë asnjë analizë serioze për të identifikuar alternativa të tjera për zgjidhjen e situatës, si përmirësimin e kontratës ekzistuese apo angazhimin e operatorëve të tjerë publikë, para se të nënshkruante kontratën me operatorin privat.

” KRPP gjatë monitorimit ka dhënë opinion për rishqyrtimin e mundësisë së shmangies së përdorimit të kësaj procedure me qëllim të rritjes së transparencës dhe konkurrencës. Nga dëshmitë e analizuara shohim se Komuna nuk i ka shtjerrë të gjitha mundësitë për të zgjidhur situatën përmes bashkëpunimit me KRM “Pastrimi”. Për më tepër, nuk është dokumentuar ndonjë analizë për identifikimin e alternativave për përmirësimin e zbatimit të kontratës ekzistuese ose angazhimin e ndonjë operatori tjetër publik para se të angazhohej operatori privat”.

Në përgjigjen e dhënë gjatë auditimit, KRM “Pastrimi” ka deklaruar se nuk i është ofruar mundësia të bëjë propozime zyrtare apo të marrë pjesë në ndonjë proces konkurrimi formal, ndërsa kontrata me operatorin privat është lidhur në mënyrë direkte nga Komuna, pa ndonjë njoftim paraprak.

Kjo sjellje nga Komuna e Prishtinës ngre shqetësime të mëdha për transparencën dhe ligjshmërinë e procedurave të prokurimit publik dhe tregon për mungesë të bashkëpunimit me operatorin publik në shërbimin e menaxhimit të mbeturinave.

Përplasjet disa mujore mes Komunës së Prishtinës dhe ndërmarrjes “Pastrimi” për mënyrën e inkasimit të faturave për mbeturina kanë marrë epilog ligjor. Gjykata Supreme ka rrëzuar padinë e Komunës për shfuqizimin e Rregullores për menaxhimin e mbeturinave, duke konfirmuar se qytetarët janë të obliguar t’i paguajnë faturat në sportelet e “Pastrimit”, e jo në Komunë, siç kishte insistuar kryetari Përparim Rama.

Vendimi i Supremes është i prerë dhe thekson qartë se kërkesa për pezullim të rregullores nuk ka bazë ligjore. Gjykata konstatoi se Rregullorja, e miratuar nga Kuvendi Komunal më 1 dhjetor 2023, mbetet në fuqi dhe duhet të zbatohet, duke i dhënë të drejtë “Pastrimit” që të vazhdojë mbledhjen e pagesave për shërbimet që ofron.

Ky vendim nënkupton edhe një pranim indirekt se Komuna, me kontratat e nënshkruara me operatorë privatë për shërbime që rregullorja ia njeh si kompetencë ekskluzive “Pastrimit”, ka vepruar në kundërshtim me aktin e vet normativ. Në thelb, Supremja vërtetoi se Komuna jo vetëm që e ka interpretuar gabimisht rregulloren, por e ka shkelur vetë atë duke e anashkaluar ndërmarrjen publike përmes kontratave të dyshimta.

Kriza me mbeturinat në Prishtinë u përshkallëzua më 13 maj 2025, kur “Pastrimi” ndërpreu shërbimin për shkak të një borxhi të papaguar nga Komuna që kapte vlerën e 2.7 milionë eurove. Pas ndaljes së shërbimeve, punëtorët e “Pastrimit” nisën edhe grevë para Komunës, ndërkohë që qyteti u përball me një krizë të pashembullt të bërllokut.  /Demokracia.com/