Komuna e Prishtinës po e zhvendos buxhetin nga qytetarët te gjykatat. Në vend të investimeve publike, miliona euro po shpenzohen për përmbarime dhe kamata, si pasojë e vonesave dhe keqmenaxhimit institucional, shkruan Demokracia.com.
Pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme për dështimet në menaxhimin financiar dhe dëmet buxhetore që kapin vlerën prej 10.5 milionë euro të paguara nga Komuna e Prishtinës për vendime gjyqësore në vitin 2024, Demokracia.com sjell tani një tjetër fakt nga raporti zyrtar i Zyrës Kombëtare të Auditimit, vetëm për kamata dhe procedura përmbarimore, komuna ka shpenzuar 1,074,473 euro gjatë vitit 2024.
Kjo shifër e rëndë nuk ka të bëjë me pagesën e vetë borxheve, por përfaqëson vetëm dëmin dytësor, pasojën direkte të vonesave në përmbushjen e detyrimeve financiare ndaj operatorëve ekonomikë. Në vend që të paguante në kohë, komuna ka lejuar që faturat të zvarriten për muaj të tërë, duke ua lënë gjykatave dhe përmbaruesve të mbledhin borxhin me të gjitha kamatat e mundshme.


Ligji i shkelur dhe fatura që kalojnë 316 ditë në sirtar
Ligji për Menaxhimin e Financave Publike është i qartë se çdo faturë duhet të paguhet brenda 30 ditësh nga pranimi. Por, sipas ZKA-së, në shumë raste faturat janë lënë pa u paguar për më shumë se 10 muaj, me raste të identifikuara ku vonesat kapin deri në 316 ditë.
Auditorët kanë gjetur se komuna, në vend të paguajë me kohë për mallrat dhe shërbimet që ka marrë, ka prodhuar vetë dëmin financiar. Sipas testimeve te ZKA, në vitin 2024, janë paguar 3.5 milionë euro përmes vendimeve gjyqësore, prej të cilave rreth 1 milion janë humbje të pastra në emër të kamatave dhe shpenzimeve të përmbaruesve.
Kontrata pa para dhe menaxhim i keq
Në arsyetimin e dhënë nga ZKA, renditen disa nga shkaqet kyçe të kësaj situate:
-
Lidhje e kontratave publike pa mbulim të mjaftueshëm financiar
-
Mungesë kontrolli në ekzekutimin e pagesave
-
Vonesa në përgatitjen dhe kompletimin e dokumentacionit për pagesa
Pra, nuk është fjala për një rast të izoluar , vetem për kontratën kolektive në arsim, por për një dështim sistematik të menaxhimit financiar, që po sjell dëme reale dhe të matshme në buxhetin komunal.
Zyra Kombëtare e Auditimit rekomandon që kryetari i komunës të marrë masa urgjente për forcimin e kontrollit mbi procesin e menaxhimit të faturave, në mënyrë që asnjë pagesë të mos vonohet jashtë afatit ligjor. Vetëm kështu, sipas ZKA-së, mund të parandalohet që qytetarët të paguajnë sërish për paaftësinë dhe papërgjegjësinë institucionale.
Menaxhmenti i Komunës ka deklaruar se “pajtohet” me gjetjet dhe rekomandimet e auditorëve.
Demokracia.com ka raportuar se, sipas raportit financiar për vitin 2024, Komuna e Prishtinës ka paguar në vitin 2024, 10.5 milionë euro për vendime gjyqësore dhe përmbarime.
“Nëpërmes Thesarit, MF për përmbarime dhe vendimeve gjyqësore është ekzekutuar shuma prej: 10,582,866.64€. Në kategorinë e pagave dhe meditjeve kemi kompensime për paga jubilare dhe shujta ditore etj. Në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve: kompenzim dëmi, kompensim dëmi jo material, lëndë përmbarimore etj. Në kategorinë e shpenzimeve kapitale kemi lëndë: kompensim i pronës, shpronësim, kompenzim për inflacion, etj”, thuhet në raportin që e ka parë Demokracia.com.
Nga kjo shumë:
- 3.7 milionë euro janë marrë nga paga dhe mëditje për kompensime të ndryshme.
- 714 mijë euro janë paguar për mallra dhe shërbime.
- 6 milionë euro janë paguar për investime kapitale, kryesisht për kompensime të pronave dhe shpronësime.

Fakti që komuna është e detyruar të paguajë shuma kaq të mëdha përmes përmbaruesve privatë tregon se institucionet kanë dështuar të përmbushin obligimet në kohë, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme financiare.
Buxheti i Komunës së Prishtinës po përballet me një barrë të rëndë financiare, siç dëshmohet nga raportet e fundit për vitin 2014 për detyrimet kontingjente dhe shpenzimet për përmbarime. Sipas të dhënave të publikuara, detyrimet kontingjente të komunës arrijnë në një total alarmues prej 80.2 milionë euro.
Sipas raportit të komunës, detyrimet kontingjente janë:
Janar – dhjetor 2024
- Paga dhe mëditje: 776 mijë euro
- Mallra dhe shërbime: 19.8 milionë euro
- Shpenzime kapitale: 59.6 milionë euro
- Lëndë të papërcaktuara: Shuma e paspecifikuar.

Fjala ‘kontingjente’ në këtë kontekst sugjeron detyrime apo pagesa që janë të pashmangshme dhe mund të lindin nga një çështje ligjore apo situatë e paparashikueshme. ‘Zyra e përfaqësimit juridik’ do të thotë që është një departament ose një entitet që përfaqëson ose mbron interesat juridike të një organizate apo entiteti. Kështu, ‘Raporti i detyrimeve kontingjente nga Zyra e përfaqësimit juridik’ do të jetë një dokument që dokumenton detyrimet ose pagesat e mundshme, të cilat organizata ose entiteti mund të përballet me bazë në çështje ligjore aktuale apo të ardhshme.
“Detyrimet kontingjente janë pretendime financiare që mund të shndërrohen në obligime vetëm nëse konfirmohen nga vendime gjyqësore përfundimtare. Në rastin e Kryeqytetit, rreth 58 milionë euro nga këto detyrime janë fituar në shkallën e parë të gjykatës, ndërsa pjesa tjetër përfshin procese ende në shqyrtim ose pa vendim të formës së prerë. Si çdo komunë në Kosovë, Kryeqyteti ka të drejtën ligjore të padisë dhe të paditet, por kjo nuk nënkupton automatikisht përgjegjësi financiare”, kanë bërë të ditur nga Komuna. /Demokracia.com/
