Në një intervistë për Albanian Post, eksperti nga ESI, Kristof Bender, shpreh shqetësimin se përmes pranimit të migrantëve të dëbuar nga SHBA-ja, Kosova rrezikon të shihet si palë në praktika të kontestuara ligjërisht nga administrata Trump.
Vendimi i Qeverisë në detyrë të Kosovës për të pranuar 50 shtetas nga vende të treta të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ngjallur reagime të ndryshme – përfshirë edhe shqetësime serioze nga ekspertë ndërkombëtarë të politikës së migracionit.
Kristof Bender nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet (ESI), në një intervistë për Albanian Post, ngriti pikëpyetje të mëdha mbi natyrën e kësaj marrëveshjeje.
“Praktika e pritjes së migrantëve të dërguar nga një shtet tjetër nuk është domosdoshmërisht problematike, për aq kohë sa të gjitha të drejtat e tyre respektohen. Mirëpo, shumë nga dëbimet e administratës Trump ndaj shtetasve jo-amerikanë janë shpallur të paligjshme nga gjykatat e SHBA-së, çka i bën ato jashtëzakonisht problematike”, tha Bender.
Ai shtoi se kjo e vendos Kosovën në një pozicion të ndjeshëm politik dhe etik.
“Pyetja që shtrohet është nëse Kosova dëshiron të jetë e lidhur – dhe bashkëfajtore – me këto procedura. Është e kuptueshme që qeveria e Kosovës dëshiron marrëdhënie të mira me SHBA-në, por administrata Trump ka treguar, përmes qëndrimeve ndaj aleatëve si Kanadaja apo Danimarka, se nuk është më një partnere e besueshme, madje as për miqtë e saj afatgjatë”.
Më 11 qershor, Qeveria në detyrë mbajti një mbledhje elektronike dhe vendosi të ofrojë mbrojtje të përkohshme për 50 persona nga shtete të treta. Sipas vendimit, personat në fjalë do të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë, nën koordinimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe më pas do të kthehen në vendet e tyre të origjinës.
“Personat subjekt të këtij vendimi, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës, do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara”, thuhej në komunikatën zyrtare.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit e ka përshëndetur vendimin, duke e quajtur “një bashkëpunim të mirëpritur për një prioritet kyç të administratës Trump”.
