Katër muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, Kosova mbetet ende pa një Kuvend të konstituuar. Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhje, nuk ka arritur të sigurojë shumicën parlamentare – një dështim që, sipas anëtarit të saj Glauk Konjufca, (edhe) lidhet me retorikën e ashpër gjatë fushatës.
Në një intervistë për ATV, Konjufca pranoi se fjalori i përdorur nga Kurti ka pasur pasoja.
“Mendoj që e kemi paguar një çmim për këtë – ç’është e vërteta”, ka deklaruar ai.
Në qendër të këtij çmimi politik që përmend Konjufca është refuzimi kategorik i LDK-së për të hyrë në koalicion me VV-në. Gjatë dhe pas fushatës, Kurti përdori një gjuhë të ashpër ndaj partive rivale, sidomos ndaj LDK-së, duke i etiketuar si “hajvanë”, “bashkëpunëtorë të Serbisë”, e duke folur për “mbytjen e LDK-së”, raporton Express.
