Misioni i pamundur | LDK fton të gjithë, PDK do qeveri të opozitës, LVV kërkon koalicion pa PDK-në

Në përpjekje për të dalë nga ngërçi politik aktual, Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar formimin e një Qeverie uniteti me mandat të kufizuar deri në mars të vitit të ardhshëm.

Sipas propozimit të saj prej 15 pikash, në këtë qeveri do të përfshiheshin të gjitha partitë politike, për të menaxhuar sfidat e brendshme dhe ndërkombëtare me një qasje të përbashkët.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës mban një qëndrim të ndryshëm, duke kërkuar formimin e një qeverie nga partitë opozitare, ku nuk do të përfshihej Lëvizja Vetëvendosje. Sipas PDK-së, nëse LDK do të siguronte 20 votat e saj, PDK deklaron se do të mund t’i sigurojë 61 vota të nevojshme për krijimin e qeverisë së re.

Ndërkohë, LVV ka shprehur gatishmëri për bashkëqeverisje me LDK-në, por kjo e fundit e ka refuzuar publikisht këtë mundësi dhe gjithashtu LVV  ka përjashtuar një koalicion të mundshëm me PDK-në.

Këto pozicione të ndara i kanë shtuar edhe më tej ndasitë skenës politike, duke e bërë më të vështirë arritjen e një zgjidhjeje konsensuale për tejkalimin e krizës institucionale.

Abazi e LDK-së: Propozimi ynë është zgjidhje afatshkurtër, ende nuk kemi shkuar deri te formimi i Qeverisë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arijeta Abazi, për FrontOnline ka folur për zhvillimet e fundit politike dhe diskutimet për një mundësi të re qeverisëse nga partitë opozitare.

Ajo ka thënë se strategjia e prezantuar nga partia e saj nuk është më e mira në botë, por për momentin shihet si një alternativë për dalje nga situata aktuale politike.

“Propozimi ynë, qëndrimi ynë, dhe strategjia e pikave tona, mendoj se kishte me qenë zgjidhje afat-shkurtë dhe jo afat-gjatë, sepse ajo dihet se nuk është zgjidhja më e mirë në botë, por është një zgjidhje,” ka deklaruar Abazi për FrontOnline.

Megjithatë, sipas saj, ende nuk ka një marrëveshje konkrete apo hapa drejt formimit të një qeverie të re nga ish-partitë opozitare.

“Sa i përket formimit të Qeverisë nga partitë ish-opozitare, ai është hap tjetër, nuk kemi shkuar deri në atë pikë,” theksoi ajo.

Brahimaj i AAK-së: Fillimisht duhet zgjidhur çështja e kryeparlamentarit, pastaj shihet nëse i bën pozita apo opozita 61 vota

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lahi Brahimaj, për FrontOnline ka folur për mundësinë e formimit të një qeverie të re nga partitë opozitare, duke theksuar se prioritet duhet të jetë tejkalimi i ngërçit institucional, përkatësisht zgjedhja e kryetarit ose kryetares së Kuvendit.

“Fillimisht duhet zgjedhur ky ngërç politik, zgjidhja e kryeparlamentarit/es,” u shpreh Brahimaj për FrontOnline.

Ai shtoi se vetëm pas zgjidhjes së kësaj çështjeje mund të hapet diskutimi për krijimin e një shumice të re në Kuvend, qoftë nga pozita, qoftë nga opozita.

“Pastaj duhet biseduar dhe me pa se a mund t’i bën pozita apo opozita 61,” tha ai.

Pozhari: Qeveria me 61 vota do të ishte e brishtë, opozita s’e ka legjitimitetin

Analisti politik Xhevdet Pozhari për FrontOnline ka komentuar mundësinë e formimit të një qeverie nga partitë opozitare në Kosovë, duke vënë theksin te mungesa e stabilitetit dhe legjitimitetit të një shumice të tillë parlamentare.

Sipas tij, çdo qeveri që mbështetet vetëm në 61 vota është e destinuar të jetë jo-stabile, për shkak të varësisë nga vullneti i pakicave etnike.

“Qeveria që i ka 61 vota nuk është stabile, pasi do të ishin të varur kryekëput nga vullnet i pakicave etnike. Në rrethanat në të cilat ndodhet Kosova i duhet një Qeveri stabile,” ka deklaruar Pozhari FrontOnline.

Ai shton se një qeveri e tillë nuk do të kishte legjitimitetin qytetar për të qeverisur, edhe nëse formimi i saj është i mundur në aspektin ligjor.

“Unë mendoj se cila do qeveri që i ka 61 vota është Qeveri jo-stabile, e brishtë dhe kjo do të ishte një auto-gol i radhës që këto parti do ia jepnin vetës, pasi nuk e kanë legjitimitetin për ta bërë Qeverinë. Ato mund ta bëjnë se ligji ia lejon, por legjitimitetin nuk e kanë sepse këtë qytetarët ja kanë dhënë Kurtit,” ka thënë ai./frontonline.net