Mehmet Ballazhi, ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Han të Elezit, ka kujtuar momentin kur ushtarët e KFOR-it filluan të hyjnë për herë të parë Kosovë në qershorin e vitit 1999, për çlirimin e vendit.
Në emisionin Edicioni Special të Klan Kosovës, ai ka thënë se po atë ditë hynë në vend edhe shumë kosovarë që ishin larguar shkaku i luftës.
“Edhe pse kanë kaluar 26-vite nga dita e hyrjes së forcave të NATO-s apo më mirë të them nga kapitullimi i forcave jugosllave atëherë. Normalisht, kur kthehem në retrospektivë është vërtetë emocionuese”.
“Mua më kujtohet kur më 10 qershor e kemi marrë informacionin se të nesërmen do të largohen të gjitha forcat serbe. Sigurisht, se ne i kishim i marrë urdhrat që të përcjellim tërheqjen e forcave serbe nga rajoni i Hanit të Elezit”.
“Mëngjesin e 11 qershorit, me hyrjen e helikopterëve në orën 05:00 të mëngjesit, pastaj edhe forcat tokësore ku ne vetëm kemi dalë në përcjellje të tyre. Kontakti ynë i parë me forcat e KFOR-it, ka qenë me KFOR-in anglezë. Më bënë përshtypje edhe hyrja e civilëve shqiptarë, që ka qenë e shpejtë në po atë ditë”, ka thënë Ballazhi.
