“Pëlqimet pro-Vuçiq e anti-Trump”, Trendafilova e keqinterpretoi nenin 9 të Kodit të Etikës rreth aktivitetit politik të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatësja Ekaterina Trendafilova, në një intervistë të gjatë ka folur edhe për aktivitetet politike të gjyqtarëve dhe prokurorëve, veçanërisht për qasjen e tyre anti-Trump.

Mediumet e ndryshme në Kosovë vazhdimisht kanë raportuar për përfshirjen e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në aktivitete me përmbajtje politike.

Nga pëlqimi për presidentin serb Vuçiq e deri te postimet fyese, akuzuese e kritikuese për presidentin Trump dhe zyrtarët e tjerë të administratës Trump. Nga ajo që shihet në aktivitetet e tyre, veçanërisht në platformën “LinkedIn”, nuk ka diversitet në mendimet e tyre politike, por ajo që i bashkon thuajse të gjithë është qasja e tyre anti-Trump.

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në një intervistë për RTK-në është përgjigjur për këtë temë, e cila është parë me shqetësim nga opinioni publik në Kosovë, por edhe më gjerë.

“Në platformën “LinkedIn”, gjyqtarët dhe prokurorët e Dhomave të Specializuara të Kosovës janë përfshirë në aktivitete politike”, ishte pyetja për Trendafilovën. Por, ajo duke e keqinterpretuar Kodin e Etikës Gjyqësore është përgjigjur: “Nuk do të komentoj për mendimet që shprehin punonjësit ose gjykatësit për aspekte që nuk kanë të bëjnë me Dhomat e Specializuara ose punën e tyre në Dhomat e Specializuara. Kodi i Etikës Gjyqësore pranon lirinë e shprehjes të gjykatësve për aspekte që nuk kanë të bëjnë me Dhomat e Specializuara ose me çështje gjyqësore në të cilat janë caktuar”.

Sipas saj, Kodi i Etikës Gjyqësore e pranon lirinë e shprehjes edhe kur ofendohet presidenti i një shteti, i cili është sponsorizues për Dhomat e Specializuara të Kosovës, në këtë rast presidenti Trump.

Në fakt, Kodi i Etikës Gjyqësore, respektivisht neni 9 e trajton të drejtën e shprehjes dhe pjesëmarrjen e shoqatave.

Në nenin 9 paragrafi (3), thuhet: Në ushtrimin e lirisë së tyre të shprehjes, gjykatësit nuk bëjnë deklarata ose komente publike që mund të cenojnë autoritetin e Dhomave të Specializuara, apo që mund të shkaktojë dyshime të arsyeshme mbi paanësinë e tyre.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, e kishte pëlqyer një fotografi të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Shteti i Serbisë ka qasje armiqësore ndaj Republikës së Kosovës. UÇK-në e trajtojnë si organizatë terroriste dhe publikisht kanë treguar se janë palë në procesin gjyqësor në Hagë, duke trajnuar dëshmitarë dhe dërguar dosje në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kryetarja Trendafilova me vetëdije e keqinterpretoi nenin 9 të Kodit të Etikës Zgjedhore. Aktiviteti i gjyqtarës në fjalë ka shkaktuar dyshime të arsyeshme dhe serioze mbi paanësinë e saj.

Edhe aktiviteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve kundrejt presidentit Trump ka ngjallur dyshime mbi paanësinë e tyre.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte duke shkuar në Shtëpinë e Bardhë te presidenti Trump kur Zyra e Prokurorit të Specializuar publikoi një aktakuzë të pakonfirmuar.

Më vonë, tre prokurorët kryesorë në rastin kundër Thaçit, Jack Smith, Alex Whiting dhe David Harbach e braktisën punën e tyre dhe shkuan për të hetuar presidentin Trump.

Se ka ndërlidhje mes dy rasteve, Trump dhe Thaçi, e kishte pohuar edhe shefi për misione speciale i presidentit Trump, Richard Grenell.

Grenell në vitin 2023 kishte thënë se Smith nuk kishte asnjë provë më shumë sesa Schwendiman, i cili kishte ardhur në përfundim se nuk ka baza për aktakuza, duke aluduar se aktakuza ndaj Thaçit u bë për të penguar presidentin Trump.

“Akuza ime është se ai u bë shumë politik vetëm sepse e urrente Donald Trumpin. Ai vendosi se do të përpiqej t’i ndalte këto negociata, duke ngritur një aktakuzë”, kishte thënë Grenell.