Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatësja Ekaterina Trendafilova, në një intervistë të gjatë ka folur edhe për aktivitetetet politike të gjyqtarëve dhe prokurorëve, veçanërisht për qasjen e tyre anti-Trump.
Mediumet në Kosovë vazhdimisht kanë publikuar fakte sesi gjyqtarët dhe prokurorët e Gjykatës Speciale e kanë shfrytëzuar platformën “LinkedIn”, për të shpërndarë, komentuar apo pëlqyer postime ku kritikohet, akuzohet dhe fyhet presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Në një përgjigje për RTK-në, Trendafilovës nuk i bëri përshtypje aktiviteti i tyre kundër presidentit Trump, madje sipas saj Kodi i Etikës Gjyqësore pranon lirinë e shprehjes.
RTK: Në platformën “LinkedIn”, gjyqtarët dhe prokurorët e Dhomave të Specializuara të Kosovës janë përfshirë në aktivitete politike. Kryeprokurorja Kimberly West ka pëlqyer një postim fyes kundër presidentit Trump. Prokurorët Silvia D’ Ascoli, Alexandra Insinga, Cezary Michalczuk, Tazneen Shahabudin kanë pëlqyer disa postime ky ofendohet presidenti Trump. Po ashtu, gjyqtarët Mettraux dhe Masselot janë përfshirë në aktivitete politike. Mettraux ka pëlqyer disa postime ku kritikohet presidenti Trump dhe sekretari i mbrojtjes, Hegseth. Gjyqtarja, Masselot, ka pëlqyer një fotografi të presidentit serb, Aleksandër Vuciq. Po ashtu, shefi i zyrës së mbrojtjes, David Hein ka pëlqyer dhjetëra pëlqime kundër presidentit Trump dhe zyrtarëve tjerë amerikanë. Si e vlerësoni përfshirjen e zyrtarëve tuaj në politikë, vecmas ndaj një shteti i cili është sponsorizues i Dhomave të Specializuara të Kosovës?
Trendafilova: Nuk do të komentoj për mendimet që shprehin punonjësit ose gjykatësit për aspekte që nuk kanë të bëjnë me Dhomat e Specializuara ose punën e tyre në Dhomat e Specializuara. Kodi i Etikës Gjyqësore pranon lirinë e shprehjes të gjykatësve për aspekte që nuk kanë të bëjnë me Dhomat e Specializuara ose me çështje gjyqësore në të cilat janë caktuar.
