Prova e 29-të, në dritën e hartimit të agjendës me 15 pika për ‘Qeverinë e Unitetit’ nga Abdixhiku

Tentativa e 29-të për konstituimin e Kuvendit do të jetë sot.

Megjithatë, edhe ditën e sotme nuk pritet ndonjë ndryshim.

Palët janë barrikaduar në qëndrimet e tyre.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dje deklaroi se gjatë kësaj jave do të ndërmarrë hapa konkret për hartimin e një agjende të Qeverisë së Unitetit, të cilën e ka propozuar tash e disa kohë.

“Vazhdoj të besoj se mund të ulemi, të flasim dhe të pajtohemi për një zgjidhje të përbashkët. Kjo krizë mund të na shërbejë si mundësi. Nëse e trajtojmë me guxim dhe me përgjegjësi. Natyrisht se ka zëra mjaft që na ushqejnë që të rrimë larg, por sot para vetës kjo krizë na thërret veç për përgjegjësi. Asgjë më pak. Prandaj, gjatë kësaj jave, do të shkojë dhe një hap tutje. Pas finalizimit të konsultimeve të brendshme, do të dal me një Agjendë 15 pikëshe – një platformë konkrete bashkëpunimi për Qeverinë e Unitetit, të cilën do t’ua ofroj të gjitha partive politike, pa përjashtim. Shpresoj që të kuptohet qartë: uniteti sot nuk është luks – është domosdoshmëri’, ka shkruar ai.

As përpjekja e 28-të e deputetëve për konstituimin e Kuvendit nuk kishte rezultuar me sukses. Kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr dore nga propozimi që kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të votohet në mënyrë të fshehtë.

Ndonëse dje dhe sot deputetët disa herë kanë përmendur therjen e një kurbani për ta drejtuar Kuvendin në një rrugë, askush prej deputetëve nuk ka pranuar të sakrifikohet për të dal nga kjo situatë.

Kësaj radhe, propozimi i VV-së për votimin për formimin e një komisioni për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit ka marrë vetëm 50 deputetë, kundër ka qenë 1 deputet, kurse abstenim nuk ka pasur.

Pas dështimit të këtij votimi, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën, duke njoftuar se përpjekja e radhës do të bëhet të dielën në orën 11:00.

Në fillim të muajit maj, VV-ja ka propozuar formimin e një komisioni, i cili do të monitoronte votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit.

Një propozim i tillë ka ardhur pasi kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, kishte dështuar 6 herë rresht t`i marrë votat e nevojshme.

Çështja e votimit të fshehtë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga AAK-ja, e cila është mbështetur edhe nga PDK-ja dhe LDK-ja.

Seanca për konstituimin e legjislaturës se nëntë ka filluar më 15 prill. Deri tani janë kaluar vetëm dy pika të agjendës.

Deputetët e kanë votuar raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe janë betuar.

VV-ja nuk po e ndryshon kandidaten për kryetare të Kuvendit edhe pse PDK-së dhe AAK-ja janë shprehur të gatshme të votojnë një kandidatë tjetër për kryetar.