Projekti i financuar nga Danimarka në vlerë prej 210 milionë eurosh parasheh transferimin e 300 të dënuarve të huaj në një burg të veçantë në juglindje të Kosovës.
Pas ratifikimit në Kuvendin e Kosovës në vitin 2024, marrëveshja mes Danimarkës dhe Kosovës për transferimin e të dënuarve të huaj në një burg në fshatin Pasjak, afër Gjilanit, ka hyrë në fazën e zbatimit, duke nxitur pasiguri në mesin e banorëve lokalë.
“Nuk e dimë se kë do të sjellin apo nëse do të paraqesin ndonjë rrezik për fshatin”, deklaroi fermeri 57-vjeçar, Zekë Zeka, duke folur për agjencinë franceze rreth marrëveshjes 210 milionë euroshe mes Kosovës dhe Danimarkës. “Nëse do të ishin njerëz të mirë, Danimarka do t’i mbante vetë dhe s’do t’i transferonte jashtë vendit”.
Pakënaqësi shprehin edhe gardianët e burgut, duke thënë se do të punojnë me standarde daneze, por me pagë të Kosovës. “Ne do të vazhdojmë të punojmë për të njëjtën pagë, por nën regjimin danez, i cili është shumë më kërkues dhe standardet e të cilit janë ndër më të lartat në Evropë”, theksoi njëri prej tyre për AFP.
Ndryshe, në bazë marrëveshjes së arritur në vitin 2022, deri në 300 të burgosur të huaj të dënuar në Danimarkë do të transferohen për vuajtjen e dënimit në Kosovë. Të dënuarit nuk do të jenë persona të dënuar për terririzëm, krime lufte apo sëmundje mendore. Pas përfundimit të dënimit, ata do të deportohen në vendet e tyre të origjinës.
