Kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu i ka humbur shpresat se mund të marr votat që i nevojiten nga ish-partitë opozitare. Kështu ajo në takimin e presidenten e vendit Vjosa Osmanin ka propozuar një ide: të mbahen për një ditë zgjedhjet lokale dhe ato të jashtëzakonshme, shkruan Periskopi.
Jo veç për kryeparlamentare, por as për iden e shprehur para presidentes, Haxhiu nuk po merr mbështetjen nga partitë e tjera.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka vlerësuar se një veprim i tillë do të bëhej për interesa politike dhe jo për qytetarët.
“Kjo çështje që zgjedhjet lokale dhe ato nacionale të mbahen bashkë është më shumë çështje politike sesa për qytetarët, dhe nuk mendoj se duhet të shkojmë në favor të politikës, por në favor të qytetarëve”, deklaroi Tahiri para gazetarëve.
Ndërsa deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, u shpreh se mbajtja e dy palë zgjedhjeve në të njëjtën kohë do të ishte një proces i ndërlikuar dhe vështirë i realizueshëm me sukses.
“Ne sapo kemi kaluar një proces të zgjedhjeve nacionale. Në fakt, edhe si parti kemi të njëjtin qëndrim: duhet të bëhet konstituimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Nuk kemi nevojë të përsërisim një proces zgjedhor, sepse nuk priten ndryshime të mëdha”, tha Bajrami.
Ideja e Albulena Haxhiut u kundërshtua edhe nga organziatat e shoqërisë civile.
