Therja e kurbanit në islam vazhdon të mbetet një akt i shenjtë dhe simbolik, që pasqyron përkushtimin dhe bindjen ndaj Zotit. Edhe këtë vit, besimtarët myslimanë kanë shprehur interesim për blerjen e kurbanit, ndonëse çmimi i tyre ka shënuar rritje.
Në Prishtinë, çmimi i një kurbani varion nga dyqind (200) deri në pesëqind (500) euro. Qytetarët vlerësojnë se këto çmime janë të larta, por jo të papërballueshme, pasi kjo është një detyrë që përmbushet vetëm një herë në vit.
Shitësit thonë për KosovaPress se krahas rritjes së çmimeve të përgjithshme, janë detyruar të rrisin edhe çmimet e kurbanit. Ata tregojnë për KosovaPress se këtë vit ka pasur rënie të interesimit të qytetarëve për blerjen e tyre.
Gëzim Krasniqi tregon se çmimi i kurbanit që ai shet fillon nga dyqind deri në treqind euro. Ai thotë se vitin e kaluar kërkesa e qytetarëve për të blerë kurban ka qenë më e madhe.
Ndërkaq, një fermer tjetër, i cili nuk ka dëshiruar të prononcohet para kamerës thotë se çmimi i deleve vitin e kaluar ishte njëqind e shtatëdhjetë deri në dyqind e shtatëdhjetë euro, ndërsa këtë vit është dyqind deri në treqind euro.
Shitës të tjerë tregojnë se këtë vit, çmimi i deleve që ata shesin fillon nga dyqind deri në katërqind dhe pesëqind euro. Derisa potencojnë se ndryshe nga viti i kaluar, ka më pak blerës.
Ndërkaq, qytetari Behram Alshiqi tha se çdo vit e blen nga një kurban. Sipas tij, vlera e një dashi gjatë këtyre ditëve ka arritur deri në gjashtëqind euro. Derisa këto çmime, sipas tij, janë të larta.
Besimtari mysliman, Shkëlzen Gashi edhe këtë vit ka ndjekur traditën e therjes së kurbanit. Ai tregoi se ka vërejtur rritjen e çmimit të tyre, porse sipas tij është e përballueshme, pasi blihet vetëm një herë në vit.
Blerja e kurbaneve nga qytetarët e besimit islam bëhet nëpër ferma apo edhe vende të tjera.
Sot është dita e parë e festës së Kurban – Bajramit. Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
