Avokati i Popullit: Liberalizimi i tregut energjetik pa parapërgatitje krijon tendenca të monopolit

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se liberalizimi i tregut të hapur të energjisë elektrike po që se ndodh pa parapërgatitje dhe pa masa të përshtatshme për krijimin e një faze të lehtë tranzitore për bizneset, krijon tendenca të monopolit në treg. 

Ai ka shtuar se kjo përkthehet në rritje të çmimeve për konsumatorët, gjë që i bie se cenon qytetarët e Kosovës.

“Ligji e përcakton qartë që liberalizimi i tregut të hapur të energjisë duhet të ndodhë, është vonuar si proces, por që në rrethanat e tanishme vendosja e një kriteri të tillë të shpejtë pa një parapërgatitje e pa marrë masa të përshtatshme për ta krijuar një fazë tranzitore që bizneset të mund të kalojnë në këtë treg, krijon edhe tendenca të monopolit në treg, por i vendos në vështirësi edhe bizneset, që do të përkthehet në rritje të çmimeve për vetë konsumatorët dhe në instancë të fundit do të cenohen qytetarët e Kosovës. Kemi kërkuar me një masë të përkohshme nga ZRRE-ja që ta pezullojë ekzekutimin e këtij vendimi, por nuk e ka bërë një veprim të tillë”, ka thënë ai të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.

Qelaj tutje ka thënë se si institucion i janë drejtuar Gjykatës së Apelit me opinion ligjor për pezullimin e vendimit të ZRRE-së./Periskopi/