Shefat e Abdixhikut ndërtojnë në Hajvali, Komuna Prishtinës i jep leje për 15 vila “Marigonës”

Komuna e Prishtinës i ka dhënë leje ndërtimi kompanisë “Marigona Sun” për ndërtimin e 15 shtëpive individuale në zonën e Hajvalisë, shkruan Demokracia.com.

Kjo kompani ka për pronarë, Rasim Merlakun, një biznesmen me lidhje të afërta me subjektet politike LDK dhe AAK.

Leja ndërtimore e lëshuar nga Komuna e Prishtinës, konkretisht Drejtoria për Urbanizëm, përfshin ndërtimin e 15 shtëpive të tipit “F1/384” me strukturë B+P+1 (bodrum, përdhesë dhe një kat). Kjo leje është lëshuar në kuadër të parcelave kadastrale në Hajvali, dhe si investitor figuron kompania “Marigona Sun” sh.p.k., me numër biznesi ARBK 811969619 dhe me përfaqësues të autorizuar Rilind Kusari dhe pranrw, Valton Bilalli e Rasim Mrlaku.

Në dokumentin zyrtar të lejes ndërtimore thuhet:

I. I lejohet kërkuesve: Pronarëve Dugagjin Mulliqi, Dafina Mulliqi, Kastriot Mulliqi, Ilirjane Mulliqi, Mustafë Neziri, Mexhide Neziri, Jon Mulliqi, Besnik Bajrami, Fiona Bajrami, Lidija Nasif Bajrami, Florent Bajrami, Shpend Selimi, Nazif Vitia, Xhemail Buzoku, Mirita Hamza, Vjosa Dobruna, Fisnik Mekaj, Hagji Shala nga Prishtina, dhe Investitorit “Marigona Sun” sh.p.k. nga Prishtina, ndërtimi i pjesës së Kompleksit “Marigona SUN”, me ndërtesa individuale banimore – 15 shtëpi, në kuadër të PZHK-së, konkretisht në parcelat kadastrale nr. 1467-25 deri në 1467-60 dhe nr. 154, Zona Kadastrale Hajvali, sipas dokumentacionit ndërtimor të prezantuar”.

Sipas dokumenteve të ndërtimit, hartimin e projektit ideor dhe dokumentacionit tjetër ndërtimor për këto shtëpi e ka kryer kompania “Archi Edu” sh.p.k. nga Prishtina. Projekti arkitektonik është hartuar nga Freskim Sylejmani, i cili është pronar i kësaj kompanie dhe njëkohësisht pjesë e kontratës publike “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” (SHAK) në Komunën e Prishtinës.

Demokracia.com kishte raportuar se disa punëtorë të kompanisë “Archi Edu” janë të angazhuar në kontratën publike “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” (SHAK). Bartëse e këtij konsorciumi është kompania e arkitektit Astrit Nixha, “ANARCH” SH.P.K., ndërsa anëtare tjetër është edhe kompania “Ardi CC” L.L.C. Në kuadër të kësaj kontrate, është i angazhuar edhe vetë pronari i “Archi Edu”, Freskim Sylejmani, i cili figuron si inxhinier i arkitekturës dhe specialist për modelimin digjital BIM, me përvojë mbi 10 vjet.

Rasim Mërlaku, pronari i Marigona Hill, ka lidhje të afërta me pushtetarët e LDK-së dhe AAK-së. Sipas të dhënave, ai është gjithashtu aksionari i dytë më i madh në “BPraL Kolegj Riinvest SH.A.”, ku zotëron 40.33% të aksioneve, menjëherë pas Valton Bilallit (41.17%). Një aksionar tjetër i njohur është ish-ministri dhe zyrtari i LDK-së, Lutfi Zharku.

Për më tepër, në deklarimet e fundit të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ai ka treguar se ka blerë një banesë në Marigona Hill me një kredi prej 126,020.40 euro, të marrë vitin e kaluar. Ndërsa, ka bërë të ditur se punon si profesor nëRiinvest dhe ka të hyra vjetore 24,000.00 euro. /Demokracia.com/