Foda thotë se lojtarët e rinj janë integruar mirë – qëllimi është fitorja në dy miqësoret

“Fadil Vokrri”, nesër do të jetë nikoqir i miqësores së Kosovës me Armeninë në futboll.

Për këtë ndeshje, trajneri Franco Foda ka mbajtur një konferencë për media, ku tha se, pavarësisht mungesës së disa lojtarëve kyç, skuadra do të japë maksimumin me lojtarët që ka në dispozicion.

“Lojtarët e rinj janë integruar shumë shpejt dhe kanë treguar performancë të mirë. Qëllimi është t’i fitojmë këto dy ndeshje, pa eksperimentime, sepse po përgatitemi për fazën kualifikuese për Kampionatin Botëror”, tha Foda, shkruan EO.

Ai shtoi se lëndimet janë pjesë e futbollit, por tha se do të shfrytëzojnë këtë mundësi për t’u dhënë hapësirë lojtarëve të rinj në këtë ndeshje, sikurse edhe në miqësoren tjetër me Komoret, para ndeshjeve të shtatorit.

“Qëllimi kryesor është që këto dy ndeshje t’i fitojmë. Nuk duam të eksperimentojmë. Jemi duke u përgatitur për fazën kualifikuese të Kampionatit Botëror. Është me rëndësi që të dalin në fushë lojtarët më të mirë. Lëndimet janë pjesë e futbollit. Jam trajner që punoj me ata që janë në dispozicion, por dihet që disa lojtarë të rëndësishëm mungojnë dhe po mundohemi t’i zëvendësojmë. Do t’u japim mundësi lojtarëve të rinj të tregojnë veten para ndeshjeve të shtatorit”, tha Foda.

Ndërkaq, Mërgim Vojvoda tha se “është detyrë për ne që gjithmonë të jemi të gatshëm të luajmë për Kombëtaren”. /Klankosova.tv