Në prag të festës së Kurban Bajramit dhe Ditës Botërore të Mjedisit, Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, u paraqit nga një nga therrtoret e licencuara në Prizren, prej nga bëri thirrje për respektim të kushteve higjienike, standardeve të sigurisë ushqimore dhe ligjit gjatë ritualeve të therjes së kurbanit, shkruan Demokracia.com.
“Nga Prizreni, vendi i kulturës besimtare, dëshiroj të përcjell një mesazh: sonte është Nata e Kurban Bajramit, një natë e rëndësishme për të gjithë besimtarët myslimanë. Si pjesë e traditës sonë në këtë festë të madhe, shumë prej jush planifikojnë të therrin kurban, andaj ju bëj thirrje që ata që planifikojnë të bëjnë therrje, t’i realizojnë ato në therrtoret e licencuara. Është momenti që përveç therjes së kurbanit, të krijojmë kulturën e respektimit të kushteve higjienike dhe sigurisë ushqimore”, tha ministri Peci.

Por ajo që nuk e përmendi ministri gjatë mesazhit të tij ishte fakti se ndodhej pikërisht në ambientet e N.P.SH. “Shantiri – N”, një ndërmarrje private e cila drejtohet nga Nadir Shantir, një emër që ka qenë disa herë nën vëmendjen e organeve të drejtësisë.
Sipas të dhënave të publikuara më herët, Nadir Shantir ishte arrestuar në vitin 2020 gjatë një aksioni të gjerë policor në Prizren, Pejë, Suharekë e Novobërdë. Ai u dyshua se bashkë me të tjerë, përmes rrugëve ilegale dhe jashtë kontrollit doganor, kishte kontrabanduar mish me qëllim përfitimi të kundërligjshëm material. Aksioni ishte pjesë e luftës kundër rrjeteve të kontrabandës me mallra.
Përveç këtij rasti, emri i Shantirit është përmendur edhe në rastin “Toka 3”, ku ai ishte nën akuzë për “Shpëlarje parash në bashkëkryerje”. Megjithatë, për këtë çështje, ai është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës – vendim që më pas është konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit.
Emri i tij figuron gjithashtu edhe në listën e aktakuzës së ngritur më 5 nëntor 2021 nga Prokuroria Themelore në Gjilan në rastin e njohur si “Karaçeva”. Në këtë dosje janë përfshirë 14 policë, 31 qytetarë dhe 28 biznesmenë të akuzuar për kontrabandë me mallra, organizim të bixhozit të paligjshëm dhe vepra të tjera penale. Rasti është ende në trajtim në Gjykatën në Kamenicë.
Pavarësisht sfondit të problematik të kësaj ndërmarrjeje dhe pronarit të saj, ministri Peci ka zgjedhur që mesazhin e tij për rend dhe ligj ta shpërndajë pikërisht nga kjo kompani. /Demokracia.com/
