Murati flet për rritje “historike të pagës mesatare” në sektorin privat, s’e përmend inflacionin dhe që është më e ulëta në Ballkan

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke cituar Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), tha se paga mesatare bruto në Kosovë për vitin 2024 është 598 euro.

Ai ka thënë se kjo tregon punën e Qeverisë Kurti për sektorin privat.

Sipas tij nuk ka qeveri më miqësore me bizneset sesa ajo e Kurtit.

Por, teksa, Murati foli për rritjen historike të pagës mesatare, ai nuk e përmendi inflacionin, e sidomos atë të produkteve ushqimore.

Po ashtu nuk ka treguar se paga më e lartë mesatare mujore bruto është në Serbi, me 1150 euro në muaj. Në Bosnjë-Hercegovinë, paga është gati 1100 euro. Në Malin e Zi paga është 1083 euro. Edhe Maqedonia e Veriut paguan mesatarisht punonjësit me më shumë se 1000 euro në muaj.

Në Shqipëri, paga mesatare mujore bruto për vitin 2024, sipas INSTAT, arriti në 77.5 mijë lekë/ muaj ose rreth 770 euro. Në krahasim me një vit më parë, paga u rrit me 9.8% në vlerë nominale.

“Paga mesatare në sektorin privat vitin e kaluar ka shënuar rritjen më të lartë historikisht! Sipas të dhënave të publikuara nga ASK, në vitin 2024 paga mesatare në sektorin privat ka shënuar 598 euro bruto, apo 83 euro më shumë sesa viti paraprak.  Sa për krahasim, rritja e pagës mesatare në sektorin privat vetëm në vitin 2024 e tejkalon krejt rritjen e pagës mesatare për 7 vite gjatë qeverisjeve të kaluara: Thaçi 2, Mustafa, Haradinaj (vetëm 74 euro rritje në periudhën 2012-2019).  +218 euro (apo 57%) për 4 vite me Qeverinë Kurti 2.  +74 euro (apo 22%) për 7 vite të qeverisjeve të kaluara”.

“Kjo është dëshmia më e mirë se Qeveria Kurti 2 ka qenë qeveria e cila ka mbështetur më së shumti sektorin privat.  Heqja e pagesave për terminale private doganore, heqja e monopolit të arkave fiskale, luftimi i korrupsionit, pagesa e faturave me kohë për operatorët ekonomikë, mbështetja e drejtë me qindra miliona euro grante e subvencione, subvencionimi i punësimit, por edhe subvencionimi i rritjes së pagave, janë vetëm disa nga veprimet dhe masat e shumta që e bëjnë Qeverinë Kurti 2 qeverinë më miqësore ndaj bizneseve, që ka ekzistuar ndonjëherë.  Qeveria për sektorin privat”, ka shkruar Murati.

 

Serbia dhe Bosna pagat më të larta, Kosova në “fund të pusit”

Në Shqipëri, paga mesatare mujore bruto për vitin 2024, sipas INSTAT, arriti në 77.5 mijë lekë/ muaj ose rreth 770 euro. Në krahasim me një vit më parë, paga u rrit me 9.8% në vlerë nominale.

Ritmet e rritjes së pagave kanë qenë më të forta dy vitet e fundit, të ndikuara kryesisht nga pagat e administratës. Pavarësisht kësaj, rajoni ka ecur shumë më shpejt në rritjen e pagave.

Me përjashtim të Kosovës, pagat në Shqipëri mbeten rreth 30% më të ulëta se në vendet e tjera të rajonit.

Paga më e lartë mesatare mujore bruto është në Serbi, me 1150 euro në muaj. Në Bosnjë-Hercegovinë, paga është gati 1100 euro. Në Malin e Zi paga është 1083 euro. Edhe Maqedonia e Veriut paguan mesatarisht punonjësit me më shumë se 1000 euro në muaj.