Paparalajmërimi zë në befasi bizneset – INDEP kritikon tregun e hapur të energjisë

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka reaguar ndaj ndërprerjes së procesit të liberalizimit të tregut të energjisë, duke kritikuar qasjen e institucioneve dhe mungesën e transparencës në këtë proces. Burim Ejupi nga INDEP deklaroi se vendimi për ta ndalur liberalizimin ishte i papritur dhe ka krijuar pasiguri në treg dhe te bizneset e prekura.

“Ky debat ka filluar në vitin 2016 me pakon e tretë të ligjit për energji – një obligim i Sekretariatit të Energjisë. Që atëherë ka qenë e qartë se tregu duhet të liberalizohet,” tha Ejupi. Ai në emisionin “Five” kujtoi se Zyra e Rregullatorit për Energji kishte publikuar një udhëzues të qartë në vitin 2017, sipas të cilit liberalizimi do të ndodhte në tri faza.

Në fazën e parë, pesë kompani të mëdha si Feronikeli, Sharr Cemi dhe Trepça u kyçën në tregun e lirë. Faza e dytë përfshinte 18 kompani të lidhura në rrjetin 110 kV. Mirëpo, përkundër planifikimeve, presioni i Odave Ekonomike dhe institucioneve si Qeveria dhe ZRRE bëri që procesi të ndalet, “derisa të ofrohen kushtet për liberalizim”.

Ejupi theksoi se INDEP ka kundërshtuar përjashtimet e propozuara me ligjin e ri për energji, të paraparë në pakon e katërt që pritej të miratohej në vitin 2024. “Kemi kundërshtuar pjesën ku liberalizimi kufizohej vetëm për kompanitë me mbi 50 punëtorë dhe qarkullim mbi 10 milionë euro. Ka kompani që kanë 50 punëtorë, por janë të vogla dhe nuk e justifikojnë këtë prag,” shtoi ai.

Sipas INDEP, vendimi për ta ndalur liberalizimin ka ardhur pa paralajmërim dhe ka zënë në befasi bizneset. “Ekziston ligji që e shtyn përpara liberalizimin e tregut, dhe një vendim i tillë bie ndesh me rrjedhën ligjore dhe synimet e reformës në sektorin e energjisë,” përfundoi Ejupi.