Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar sot raportin e Llogaritës Qeveritare për tremujorin e parë të vitit 2025, duke nxjerrë në pah një rritje të ndjeshme në shpenzimet qeveritare krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shkruan Demokracia.com.
Ndërsa të hyrat janë rritur lehtë, shpenzimet kanë pasuar një trajektore shumë më agresive, çka ngrit pyetje mbi balancën buxhetore dhe menaxhimin fiskal të institucioneve.
Sipas ASK-së, të hyrat e përgjithshme të Qeverisë në TM1 2025 arritën në 687.9 milionë euro, vetëm një rritje modeste krahasuar me 679.7 milionë euro në TM1 2024. Pra, një rritje prej rreth 8.2 milionë euro – ose më pak se 2%. Pjesën më të madhe të këtyre të hyrave vazhdojnë ta përbëjnë tatimet në produkte, të cilat mbulojnë 77% të totalit, të ndjekura nga tatimet rrjedhëse në të ardhura (18%) dhe të hyrat nga shitjet (4%).
Në anën tjetër, shpenzimet kanë pësuar një rritje shumë më të lartë: nga 601.6 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2024, ato janë ngjitur në 703.2 milionë euro në periudhën e njëjtë të këtij viti – një rritje prej mbi 100 milionë eurosh, apo gati 17% më shumë. Kjo krijon një hendek të dukshëm mes të hyrave dhe shpenzimeve prej 15.3 milionë eurosh vetëm brenda tre muajve të parë të vitit.
Struktura e shpenzimeve tregon për një barrë të madhe në kategorinë e kompensimit të punëtorëve (31%), ndjekur nga kontributet sociale dhe përfitimet (29%), konsumi i ndërmjetëm (14%) dhe formimi i kapitalit bruto (9%). Pjesa tjetër ndahet në kategori të tjera, që mbeten të paqarta për publikun e gjerë.
Përkundër rritjes së shpenzimeve, nuk është e qartë nëse këto fonde janë investuar në sektorë strategjikë që prodhojnë efekte afatgjata për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror. Për më tepër, mungon një analizë publike për ndikimin konkret të këtyre shpenzimeve në cilësinë e jetës së qytetarëve apo në përmirësimin e shërbimeve publike.
Ndërkohë që të hyrat rriten në mënyrë të lehtë, Qeveria po e çon përpara një model shpenzues që, në mungesë të disiplinës fiskale dhe transparencës, rrezikon të krijojë një deficit të përhershëm dhe të thellojë varësinë nga borxhi apo burime të jashtme financimi.
Nëse ritmi i rritjes së shpenzimeve vazhdon të tejkalojë rritjen e të hyrave, Kosova mund të përballet me sfida fiskale në pjesën e mbetur të vitit. /Demokracia.com/

